I ngjante “tmerrësisht” të shpallurit në kërkim, 26-vjeçari i pafajshëm bën pesë ditë burg

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 28.01.2022, 01:26

Një 26-vjeçar nga Florida, SHBA, kaloi pesë ditë në burg pasi u ngatërrua me një të arratisur të shpallur në kërkim, i cili kishte të njëjtin emër, moshë dhe pamje me të. I riu vjeçari Leonardo Silva Oliveira me profesion kuzhinier, u arrestua më 20 janar jashtë restorantit të Broward County ku ai punon pasi u ngatërua me një tjetër Leonardo Silva Oliveira, po ashtu 26 vjeç.

Kuzhinieri pohoi se policia duhet ta dinte se kishin marrë njeriun e gabuar pasi ai nuk kishte asnjë tatuazh. Në raportet e policisë thuhet se i arratisuri kishte tatuazhe në dy krahët e tij. “Më kontrolluan krahët. Ata nuk panë asnjë. Por ata prapë më arrestuan”- tha kuzhinieri. Ai u mbajt në burg deri të martën, por autoritetet e kuptuan gabimin dhe e lanë të lirë.

Sipas një raporti të arrestimit nga Departamenti i Policisë së Coconut Creek, kuzhinieri u njoh me anë të patentës së shoferit dhe informacioneve për regjistrimin e automjetit të tij në Florida, edhe pse data e lindjes së tij ishte e ndryshme nga ajo e të arratisurit. “Kur u konstatua se gjurmët e gishtave nuk përputheshin, Oliveira u lirua menjëherë nga burgu”- shtuan autoritetet.

Burimi: nypost | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit