Blendi Gonxhja “i bën qokën” Lali Lekut, i jep 150 milionë pa konkurrencë mikut të tij dhe të Endri Fugës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.01.2022, 22:14

Me sa duket “qokat” vazhdojnë të bëhen mes njerëzve të “Rilindjes”. Natyrisht kjo nuk është e vështirë të mendohet për sa kohë që “qokat” me tenderat kanë kohë që realizohen jo vetëm mes tyre por edhe mes pushtetit dhe eksponentëve të opozitës. Kjo pasi siç dihet, askush nuk do t’ia dijë për popullin e shkretë por vetëm për xhepat dhe llogaritë bankare të tij. Në rastin konkret është Blendi Gonxhja i cili me sa duket ka vendosur t’i bëjë një “qokë” Erion Veliajt dhe Endri Fugës.

Kjo pasi Gonxhja i ka dhënë një tender pa konkurrencë kompanisë SON Engineering & Construction në pronësi të Erind Bejlerit. Sipas artikujve të shumtë në media, Bejleri rezulton të jetë mik i Veliajt dhe i Endri Fugës. Në disa foto të publikuara, Bejleri shfaqet në shoqërinë e e Drejtorit të Përgjithshëm të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Ditjon Baboçi. Madje në një nga këto foto ai gjendet në shoqërinë e Ditjon Baboçit dhe të Endri Fugës, Drejtor Komunikimi në Kryeministri.

Por përtej kësaj nëse i hedhim një sy dokumentacionit të tenderit do të gjejmë disa çudira. Kështu, më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-09408-10-25-2021 dhe me objekt “Projektim për investimin me objekt ”Ndërtim i godinës së Drejtorisë së Përgjithshme”. Fondi limit i kësaj procedure është 13,147,703 lekë të reja pa TVSH ose rreth 157 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH.

Pra mendoni pak, vetëm për një projektim, do të shpërdorohen mbi 150 milionë lekë. Gjithsesi problemi i vërtetë qëndron në faktin që në garë është kualifikuar vetëm një kompani, pikërisht ajo që përmendëm më lart. Kjo firmë duke mos patur aspak konkurrencë e ka patur tepër të lehtë që të klasifikohet si fituese.

Oferta e saj është 12,522,450 lekë të reja pa TVSH ose rreth 150 milionë lekë të vjetra me TVSH. Shihet qartë se kjo vlerë është thuajse identike më fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 95.24% e tij. Dyshimet janë se kjo nuk është asgjë tjetër veçse një “qokë” e Blendit për “miqtë” e tij.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit