ARRSH jep 2.7 miliardë të tjera për Kardhiq-Delvinë, “kuçedrën” që po ha pafund para

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.12.2021, 22:18

Rruga Kardhiq-Delvinë është një aks i cili pritet prej shumë kohësh nga shqiptarët, për vetë afërsinë që do të sjellë mes Tiranës dhe Sarandës duke e shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit. Mirëpo me kalimin e kohës shikohet se kjo rrugë është shndërruar në një “kuçedër” të vërtetë. Themi kështu pasi rezulton se është duke “kullufitur” fonde në vlera të larta njëra pas tjetrës. Siç e kemi përmendur shpesh herë, ky aks është i ndarë në lote dhe secilin prej tyre e realizojnë përgjithësisht kompani të ndryshme. Në këtë mënyrë kuptohet që ka shumë “ustallarë” që përpiqen të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur.

Është interesant fakti që ndërtimi i këtij aksi po vonohet shumë, dhe shpesh janë kërkuar shpenzime shtesë jashtë parashikimit. Këtu nuk bëhet fjalë për miliona por për miliarda. Në formën e shtesës së kontratës kanë përfituar shuma të frikshme thujase të gjitha firmat fituese të loteve të këtij aksi. Mirëpo duket se përsëri “uria” nuk është shuar. Kjo vihet re në faktin se është realizuar tashmë një tender i ri, kësaj rradhe për sinjalistikë. Si zakonisht autoriteti kontraktues është Autoriteti Rrugor Shqiptar, i drejtuar aktualisht nga Ervis Berberi. Nëpërmjet tenderit me numër reference REF-08251-10-14-2021 dhe me objekt “Ndërtim rruga Kardhiq–Delvinë, Loti 8” (Sinjalistikë dhe Siguri rrugore nga loti 1 deri në lotin 6), parashikohen që të harxhohen plot 281,619,729 lekë të reja pa TVSH ose gati 3.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Në tender kanë marrë pjesë 6 firma, nga të cilat fituese është shpallur JUBICA me ofertë 220,000,001 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.7 miliard lekë të vjetra me TVSH. Shikohet ndërkaq se një tjtër firmë pjesëmarrëse ka ofruar gati 30 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak sesa fituesi dhe megjithatë nuk është marrë në konsideratë. Natyrisht 30 milionë lekë mund të duken vlerë e papërfillshme nëse kemi parasysh miliardat që luhen në këto tendera, duke e klasifikuar këtë aks vërtetë si një “kuçedër” që vetëm përpin para.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit