JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Instituti Albanologjik sqarohet për librin: Është kopje pa asnjë ndërhyrje e origjinalit
Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22/10/2021 15:23

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Instituti Albanologjik ka ribotuar librin “Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë I” të vitit 1951, por ajo që ka ngjallur reagime ka qenë referimi me terminologji serbe ndaj Republikës së Kosovës. Instituti Albanologjik i Kosovës kanë sqaruar se kjo ka ndodhur pasi është ribotuar kopja e librit origjinal, pa asnjë ndërhyrje.

Nga Institutit Albanologjik i Kosovës kanë thënë ky libër i vitit 1951 pas daljes nga shtypi, është sekuestruar nga pushteti i atëhershëm, duke shkatërruar kontigjentin e botimit, e për pasojë ka shpëtuar vetëm ndonjë kopje e tij.

Drejtori i Institutit, Hysen Matoshi në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se libri është ribotuar për shkak të interesit të madh për këtë vepër.

“Ribotimi i librit të Profesor Zekeria Rexhës “Kangë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë I”, është bërë nga Instituti Albanologjik për shkak të interesit të madh që ekziston për këtë vepër të parë të fokloristikës shqiptare të botuar në Kosovë nga ShB “Mustafa Bakija” më 1951 në Prishtinë. Menjëherë, pas daljes nga shtypi, pushteti i atëhershëm e ka sekuestruar dhe e ka shkatërruar kontingjentin e botimit. Ka shpëtuar fatmirësisht ndonjë kopje, sikurse është kjo që e kemi ribotuar”, tha fillimisht Matoshi për Reporteri.net.

Tutje ai shtoi se ky ribotim është kopje e origjinalit, pa u bërë asnjë ndërhyrje, dhe se sipas tij terminologjia e titullit të librit është e vitit 1951, e nuk lidhet me të sotmen.

“Botimi është kopje e origjinalit, botim anastatik, pa ndërhyrë aspak. E vetmja shtojcë është fjala e botuesit e titulluar “Riardhje e Profesor Zekeria Rexhës në Kosovë”. Kjo vepër nga njëra anë është monument kulturor për shqiptarët e mbetur nën ish-Jugosllavi, kurse nga ana tjetër, për shkak të ekskomunikimit të saj, është dokument i rëndësishëm i cenimit të rëndë të kulturës shqiptare. Pra, terminologjia e titullit të librit është e vitit 1951 nuk lidhet me të sotmen. Sikurse dihet atëbotë Kosova e sotme emërtohej në këtë mënyrë”, shtoi drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës për Reporteri.net.

Derisa, gjatë ditës, për ribotimin pa ndërhyrje të librit ku në titull referohet si Kosova e Metohia, reagoi profesori universitar, Blerim Latifi, i cili tha se se kjo do të futet në Dosjen e pretendimeve të Kishës Ortodokse Serbe për eksterritorialitet kishtar në Kosovë.

“Në vitin 2021, Instituti Albanologjik i Kosovës boton tituj të tillë, duke iu përmbajtur terminologjisë zytare serbe për Kosovën. Sigurisht, kjo do të futet në Dosjen e pretendimeve të Kishës Ortodokse Serbe për eksterritorialitet kishtar në Kosovë, tani që po afrohet pjesa më e rëndë e Dialogut Kosovë-Serbi, pjesa e marrëveshjes përfundimtare”, shkroi filozofi Blerim Latifi.

Por, drejtori Hysen Matoshi nuk pranoi të komentonte deklaratën e Latifit.

“Nuk kam pse të komentoj lidhur me pikëpamjen e shprehur nga z. Latifi dhe as lidhur me kurrfarë dosjeje”, përfundoi Matoshi.