JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Mashtrim: Një person ua shiti banesën e njëjtë dy personave
Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 21/10/2021 13:15

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

B.A është dënuar me tetë muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë pasi e ka pranuar fajësinë se më 2015, vuri në lajthitje të dëmtuarën Q.I, me ç’rast banesën e njëjtë ia kishte shitur dy personave të ndryshëm, ku të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro.

Aktgjykimin e shpalli të enjten gjykatësi Adnan Kamberi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Kamberi njoftoi se të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet dënimi më burg, nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej dy viteve.

Ndaj B.A është shqiptuar edhe dënimi me gjobë në shumë prej 500 euro, e cila shumë duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas aktgjykimit, ai obligohet që në emër të kompensimit të dëmit të dëmtuarës të ia kthej shumën prej 20 mijë euro, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, i njëjti është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 euro dhe shumën prej 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil. Ndërsa, kundër këtij aktgjykimi lejohet ankesa, në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 20 tetor 2021, i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Aktakuza e ngritur në nëntor të vitit 2019, ngarkon B.A se në qershor të 2013-ës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka vënë në lajthitje të dëmtuarën Q.I, duke lidhur kontratë për t’i shitur banesën e cila ishte në ndërtim e sipër në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e dëmtuara për blerjen e banesës kishte paguar 20 mijë euro përmes bankës, e që i akuzuari më parë këtë banesë ia kishte shitur edhe personit tjetër J.G, me ç’rast banesën e njëjtë ia kishte shitur dy personave të ndryshëm, ku të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro dhe si pasojë e kësaj kanë lindur edhe ngatërresa mes palëve të interesuara për banesën në fjalë.

Për këtë, B.A po akuzohet për veprën penale “Mashtrim” nga neni 335 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, sipas Kodit që ishte në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale.

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.