JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Përplasje e akuza të rënda mes Haradinajt e Kurtit
Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 19/10/2021 12:01

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë përplasur mes vete në pjesën e parë të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj e ka pyetur Albin Kurtin në fillim se pse siguria në veri është në gjendje më të keqe pas operacioneve të policisë së Kosovës, ndërsa përgjigja e Kurtit ishte e ashpër, shkruan lajmi.net.

Kurti i tha Haradinajt se siguria është në nivelin më të mirë që nga shpallja e pavarësisë, dhe ia ka përmendur këtij të fundit një takim të tij me Milan Radojiçiqin në zyrën e tij.

Për më tëpër, Kurti e ka akuzuar Haradinajn se po i sulmon në moralin e tyre policinë e Kosovës.

“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani e sot se kurdoherë tjetër që nga shpallja e Pavarësisë, asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. Ka punë e sfida dhe janë të trashëgruara, por do t’i zgjidhim. Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj priste në zyrë kriminelin Radojiçiq, nuk e rrezikon veriun policia, por kriminelët dhe bashkëpunimi i deputetëve me ta.

Fjala e deputetit Haradinaj është sulm moral ndaj policit të Kosovës, por kot e keni z.Haradinaj, morali i policit të Kosovës është shumë i lartë. Edhe atëherë kur shkon me Njësinë Speciale për ta ndihmuar policinë kufitare. Ju po përpiqeni ta sulmoni moralin e policisë tonë kur të shkojë në veri.”, tha Kurti.

Haradinaj ka thënë se diskutimi po devijon e ka akuzuar Kurtin se po tenton ta dorëzojë veriun e Kosovës.“Është interesant, po dojnë me e kthy diskutimin te morali i trupave në terren. Unë nuk e kom qëllimin te morali it rupave sepse i besoj policisë së Kosovës, ushtarit të Kosovës, unë frikësohem nga ti sepse mendoj që i ke marrë dy veprime me e dorëzu veriun, unë mendoj se është skenar i yti.”, tha Haradinaj.

Pas kësaj, Kurti sërish u përgjigj duke thënë se strukturat ilegale në veri asnjëherë nuk kanë qenë më të frikësuara.

“Kriminelët në veri, strukturat ilegale kurrë nuk kanë qenë më të frikësuara se kaq, nuk dorëzohet veriu, mos m’u frikësoni mua, por mos ngjallni dilema te polici që kur të shkojë në veri se “Kushedi pse të ka çu Albini atje”, kjo është e dëmshme”, tha Kurti.

Një polemikë e tillë mes Kurtit e Haradinajt nuk është e re sot, Haradinaj vazhdimisht ka kritikuar Kurtin për qasjen e tij ndaj veriut të Kosovës.