JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

KLSH zbulon SKANDALIN| MILIARDAT që ka marrë oligarku Klodian Allajbeu me firmën e Manastirliut!
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 17/10/2021 0:03

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ju kujtohet kur Ogerta Manastirliu licencoi disa laboratorë privatë të kryenin me pagesë testet e Covid, rezultati i të cilave dilte për pak orë, ndërsa koncesioni i laboratorëve i dhënë Janis karathanos, i paguar nga paratë e popullit doli jashtë loje?! Epo nëse ju kujtohet si në hije, po jua rikujtojmë se një prej laboratorëve që përfitoi licencë të parët ishte ALNET, pjesë e Spitalit Amerikan të administruar nga Klodian Allajbeu. Duke e futur këtë risi në tregun shqiptar, privati i tarifonte shqiptarët 12.000 Lekë të reja për test dhe për shkak të monopolit në treg, populli u dynd t’i bënte testet për arsye jo vetëm shëndetësore por edhe për qarkullim jashtë. Këtij spitali më pas iu dha tenderi 1.2 MLD Lekësh të tjera nga paratë e popullit, për testet e shpejta anti-Covid, pas ngopjes me dhjetëra milionë euro në kohën e pandemisë.

Tre spitale, AMERIKANI, HYGEIA të Allajbeut dhe SALUS i Anastas Peçinit sëbashku me 5 laboratorë privatë ishin në listën e të licencuarve nga Manastirliu për të kryer testimet. I gjithë abuzimi në këtë pjesë qëndron në një audit të publikuar së fundmi nga KLSH. Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre dyshime se të ardhurat e laboratorëve privatë, sidomos i atyre të spitaleve, të cilat arrijnë në rendin e dhjetëra milionë eurove, janë produkt i një urdhri pa bazë ligjore të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pasi u kishte përfunduar akreditimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA). Nga procesi i miratimit të “procedurës së kryerjes së testimeve molekulare RT-PCR për SARS-COV-2 dhe njohjes së laboratorëve jopublikë për kryerjen e testimit për nevoja administrative” është përjashtuar Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, organi i vetëm për licencimin e laboratorëve mjekësore, testues dhe kalibrues!

NË AUDIT SHKRUHET:

“Përjashtimi i DPA-së ka sjellë pasoja të mungesës së vërtetësisë së analizave, pasi nuk ka marrë pjesë në akreditimin e aparaturave laboratorike të përdorura për këtë qëllim. Marrja e kompetencave nga Komiteti i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë, ka sjellë përjashtim të padrejtë të DPA-së, duke cënuar vërtetësinë e të dhënave laboratorike për Covid-19. Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se: Ky urdhër i ministres Manastirliu nuk është në përputhje me aktet nënligjore, si edhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 865, datë 24.12.2019 “Për mënyrën e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor e përcaktimin e tarifave dhe afateve kohore. Në bazën ligjore të urdhrit, “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka cituar asnjë nen të Ligjit nr.15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, i cili i jep të drejtën e njohjes së këtij procesi laboratorëve jopublikë”.

Institucionet e kujdesit shëndetësor duhet t’i nënshtrohen procesit të akreditimit, që kryhet nga ky institucion, gjë që ministria e Shëndetësisë, sipas ligjit, nuk e ka zbatuar dhe anashkaluar së bashku me laboratorët e përfshirë në procesin e përvetësimit të parave të popullit duke sjellë “Pasoja të mungesës së vërtetësisë së analizave, pasi nuk ka marrë pjesë në akreditimin e aparaturave laboratorike të përdorura për këtë qëllim. Marrja e kompetencave nga Komiteti i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë, ka sjellë përjashtim të padrejtë të DPA-së, duke cënuar vërtetësinë e të dhënave laboratorike për Covid-19”,-citohet nga KLSH.