Jahtet superluksoze tërheqin gjithmonë vëmendjen. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe në projektin e radhës të Lazzarini Design Studio, kompani e njohur italiane e dizajnit, e cila ka prezantuar konceptin e saj të fundit, të quajtur Saturnia. Jahti 100 metra i gjatë është projektuar të jetë tërësisht nga fibra karboni, çka e bën atë 50% më të lehtë se jahtet e tjera me madhësi të ngjashme të bëra prej alumini, hekuri apo çeliku. Sipas projektit, jahti do të ketë gjithashtu portin e vet, duke bërë të mundur që varkat e vogla të ankorohen brenda. Jahti do të mundësohet nga dy motorë me naftë dhe një sistem qendror elektronik që mundëson uljen e emetimeve. Do të ketë kapacitet për të pritur 20 mysafirë së bashku me 20 anëtarët e ekuipazhit.