Mesfushori danez Eriksen duket se i është rikthyer normalitetit, pas pasdites dramatike në Kopenhagen rreth një muaji më parë. Javën e ardhshme ai pritet të kthehet në Milano, për të takuar shokët e ekipit dhe për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Do të jenë ditë tepër të rëndësishme për të, për të mësuar nëse do të jetë në gjendje të luajë ende për Interin dhe në Serie “A”, apo do të transferohet diku.
Vlen të thuhet se ai është shprehur optimist mbi të ardhmen. Këtë e ka konfirmuar edhe në deklaratat e tyre së bashku me bashkëshorten e tij Sabrina. Megjithatë, ekzaminimet do të japin vendimin e plotë dhe të saktë për të ardhmen.
Kujtojmë se më datë 12 qershor të këtij viti, pak para se të përfundonte ndeshja debutuese e Danimarkës në Euro 2020, Eriksen u shtri në mes të fushës pa ndjenja. Ishin shokët e ekipit ata që i erdhën të parët në ndihmë, duke formuar edhe rreth tij një kordon mbrojtës, për të ndaluar pamjet e rënda për teleshikuesit. Tanimë ai ndihet më mirë, ndikuar dhe nga një defibrilator që mban në zemër për të normalizuar rrahjet e saj.