Tenderat në vendin tonë jo vetëm janë me natyrë abuzuese, por për më tepër janë edhe qesharake. Madje shpesh konsiderohen edhe si “meme” të gatshme. I tillë është edhe ky rast që do ju paraqesim në vijim. Behët fjalë për një tender të organizuar nga Ministria e Brendshme nëpërmjet Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara. Nuk bëhet fjalë për një tender dosido, por për një “gallatë” të vërtetë. Siç dihet prej javësh tashmë masat kundra COVID-19 janë reduktuar ndjeshëm, duke përfshirë këtu edhe heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave në mjediset e hapura. Jo vetëm kaq, por pritet që së shpejti masat kufizuese të lehtësohen akoma më shumë
Por pavarësisht kësaj, tenderat për blerje maskash vazhdojnë në mënyrë të frikshme. Kështu në datë 02.06.2021 janë shpallur fituesit e tenderit me objekt “Blerje materiale të ndryshme për pastrim (e ndarë në 3 Lote, përfshirë artikujt kundër COVID-19)”, me fond të përgjithshëm të marrëveshjes kuader: 197,020,422 Lekë (pa TVSH),me afat 24 muaj, me numër reference të procedurës kryesore REF-90593-03-19-2021.
Në rastin konkret do të fokusohemi tek loti i tretë “Blerje materiale të nevojshme për mbrotjen personale”, me fond të përgjithshëm të marrëveshjes kuadër 10,296,758.84 Lekë (pa TVSH) me numër reference REF-90602-03-19-2021. Shikohet se janë kërkuar të blihen maska respiratore me nivel mbrojtës FFP3, maska respiratore me nivel mbrojtës FFP2 (N95), maska kirurgjikale të thjeshta, maskë prej pëlhure e madje edhe doreza e sapun për duar.
Fituese janë shpallur tre kompani, përkatësisht “EGIAN MED” në pronësi të Fatos Lashi e Armand Fida; “FEDOS” në pronësi të Orion Struga dhe “EURO MED” në pronësi të Engjëll Hoxha dhe Hervin Fora. Me sa duket pak rëndësi ka që masat janë lehtësuar, rëndësi ka të bëhen tenderat e të shpallen fitues në vlera prej miliona lekësh.