Edhe pas përfundimit të precesit zgjedhor dhe shpalljes së rezultatit, tenderat që ngjallin pikëpyetje vazhdojnë përsëri. Rasti që do t’ju paraqesim në vijim trajton një tender që ngjall dyshime pasi fituese është shpallur një firmë e cila ka ofruar mbi gjysëm miliardë lekë të vjetra më shumë se të tjerët. Tenderi është organizuar nga Bashkia Bulqizë e drejtuar nga Lefter Alla.
Kjo procedurë prokurimi mban numrin e referencës REF-83059-12-23-2020 dhe ka si fond limit vlerën 324,439,000 lekë të reja pa TVSH. Objekti i tenderit është “Ndërtim rrjeti furnizimit dhe rrjeti shpërndarës Ujësjellësi Lagjia Allmet dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ lagjia e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”.
Duke hulumtuar dokumentacionin e tenderit shikohet së në të kanë marrë pjesë 5 kompani, përkatësisht ”EGLAND & BE-IS” me vlerë të ofruar 323,174,643 lekë të reja pa TVSH, GJOKA KONSTRUKSION me vlerë të ofruar 302,846,800 lekë të reja pa TVSH, KUPA & 2AF ALBANIA GROUP me vlerë të ofruar 276,144,260 lekë të reja pa TVSH, LIQENI VII me vlerë të ofruar 324,239,138 lekë të reja pa TVSH dhe SENKA me vlerë të ofruar 323,577,755 lekë të reja pa TVSH.
Fitues janë shpallur kompanitë EGLAND & BE-IS me vlerë të ofruar rreth 4 miliardë lekë të vjetra nëse llogarisim edhe vlerën e TVSH. Pronarë të tyre janë përkatësisht Rasim Daci dhe Hamz Islamaj. Nëse bëjmë një kalkulim të thjeshtë të vlerave të ofruara vëmë re se fituesit jo vetëm kanë ofruar më shumë se dy nga kompanitë pjesëmarrëse, por rezulton se krahasuar me njërën prej këtyre kompanive, ata kanë ofruar rreh gjysëm miliardë lekë të vjetra me TVSH më tepër.
Kjo është një diferencë tepër e madhe që nuk mund të mos merrte parasysh. Jo vetëm kaq, por afërsia e vlerës fituese me fondin limit të tenderit është mjaft e madhe, përkatësisht sa 99.6 %. Të gjitha këto fakte ngjallin dyshime se fituesi i tenderit ka qenë i paracaktuar.