Zgjedhjet tashmë mbaruan dhe rezultati i plotë dhe final po shkon drejt përfundimit. Megjithatë në një kohë kur të gjithë e kishin mendjen tek zgjedhjet dhe tek rezultati, një tender i çuditshëm është realizuar nga Agjencia e Shërbimeve Funerale në varësi direkte të Bashkisë Tiranë. Rezulton se kjo agjenci ka kërkuar të blejë një makinë varrimi në vlera të dyshimta, rreth 50 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Natyrisht nuk bëhet fjalë për ndonjë makinë të larë në ar, por për një makinë normale për kryerjen e funksionit të kërkuar. Ky tender mban numrin e referencës REF-88209-02-24-2021 dhe ka si objekt ”Loti 2: Blerje makine varrimi. Sasia e kërkuar një makinë varrimi për nevoja të institucionit.
Afati i lëvrimit të mallit është 20 ditë duke filluar nga data e nënshkrimit të kontratës”. Duke hulumtuar dokumentacionin e tenderit, vihet re se në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, përkatësisht “VILNIK MOTORS” sh.p.k. me vlerë të ofruar 4,126,000 lekë të reja pa TVSH dhe “SI & CO COMPANY”sh.p.k. me vlerë të ofruar 3,780,000 lekë të reja pa TVSH.
Vihet re se konkurrenca është e cunguar pasi kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Nga ana tjetër shikohet se fituese është shpallur kompania e cila ka ofruar vlerën më të lartë. Bëhet fjalë për firmën “VILNIK MOTORS” e cila ka ofruar rreth 4 milionë lekë të vjetra me TVSH më tepër se firma tjetër. Megjithatë ky rast nuk ka qenë problem që “VILNIK MOTORS” të shpallet fituese. Nëse marrim në analizë edhe fondin limit të tenderit, shikohet se vlera fituese është mjaft pranë me të, përkatësisht vlera fituese është sa 99% e fondit limit.