Pavarësisht kërkimeve intensive në zonën e Bovillës, forcat RENEA dhe Policia e Tiranës nuk kanë arritur ende të lokalizojnë Sadik Llanajn, i dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan.
Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur në krim, por nuk kanë mundur të gjejnë armën e zjarrit, çka ngre dyshime se autori mund të vijojë të jetë i armatosur.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 11 gëzhoja, ndërsa hetuesit po analizojnë provat materiale dhe dëshmitë e personave që ndodheshin me viktimën në momentin e sulmit. Sipas tyre, autori është afruar me automjet pranë grupit të të rinjve dhe ka qëlluar nga makina në lëvizje. Më pas, ai dyshohet se ka zbritur dhe i ka ndjekur në këmbë duke vijuar të hapë zjarr.
Personat e pyetur kanë deklaruar se mes autorit dhe viktimës kishte pasur një konflikt verbal rreth një vit më parë. Megjithatë, burime pranë hetimit dyshojnë se pas ngjarjes mund të fshihen përplasje të tjera, të lidhura me aktivitete të paligjshme, pistë e cila po verifikohet.
Sipas deklarimeve të banorëve, fusha e futbollit dhe kalçetoja nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen e rëndë. Ata shprehen se në lokalin me pishina ku ndodhi konflikti tregtohen lëndë narkotike, duke shtuar se biznesi është në pronësi të një efektivi policie dhe se incidentet që ndodhin aty, janë fshehur vazhdimisht.
Më tej, ai pohojnë se objektivi i sulmit të ndodhur një ditë më parë nuk ka qenë Ardiani, i cili humbi jetën, por djali që administron lokalin, për të cilin pretendon se është i përfshirë në aktivitetin e trafikut të drogës.