Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Policia ka vënë në pranga Enea Zyferin, ndërsa ka shpallur në kërkim 41-vjeçarin Armand Shakaj, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, Zyferi, i cili punonte si kamerier në lokalin në pronësi të Shakajt, dyshohet se ka ndihmuar autorin dhe ka qenë i pranishëm në momentin kur Koçi është mbajtur peng. Për këtë arsye ai është arrestuar si bashkëpunëtor.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se, bazuar në kontrollet e kryera në terren dhe analizën e pamjeve të kamerave të sigurisë, policia ka siguruar prova që forcojnë dyshimet se 34-vjeçari mund të jetë vrarë. Dyshohet se më pas trupi i tij është zhvendosur dhe transportuar me automjet nga autori i dyshuar.
Sipas të njëjtave burime, Zyferi ka qenë dëshmitar i këtyre veprimeve. Ai punonte në një lokal pranë vendit të ngjarjes, në pronësi të Shakajt.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për kapjen e Armand Shakajt, për të cilin deri më tani nuk ka arritur të sigurojë gjurmë konkrete. Burime hetimore bëjnë me dije se Shakaj dhe Koçi kishin njohje të afërt dhe ishin miq me njëri-tjetrin.
Në kuadër të hetimeve është sekuestruar edhe automjeti që dyshohet se është përdorur për transportimin e Koçit pas rrëmbimit. Gjatë ekspertimit të mjetit janë konstatuar njolla gjaku, të cilat dyshohet se mund t’i përkasin 34-vjeçarit. Mostrat janë dërguar për analiza të mëtejshme, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.