Një 63-vjeçar nga Shijaku ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në spitalin e Durrësit, pasi u transportua me urgjencë nga ambientet e policisë ku po qëndronte i shoqëruar. Shtetasi me iniciale M. G. ishte dënuar me një periudhë të shkurtër burgimi dhe priste ekzekutimin e vendimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 63-vjeçari ndodhej në ambientet e sigurisë së Komisariatit të Policisë Durrës, i dënuar me 18 ditë burgim. Ai ishte në pritje të transferimit drejt IEVP Lushnjë, ku do të kryente vuajtjen e dënimit.
Problemet e para shëndetësore janë shfaqur rreth orës 15:04. Menjëherë pas ankesave dhe shqetësimeve të shfaqura, shërbimet e Policisë kanë bërë transportimin e tij drejt Spitalit të Durrësit për ndihmë mjekësore të specializuar.
Pavarësisht dërgimit në spital dhe asistencës së dhënë në sallën e reanimacionit, gjendja e tij nuk është stabilizuar. Mjekët konfirmuan se rreth orës 18:20, shtetasi M. G. ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje. Pritet që autopsia dhe ekzaminimet mjeko-ligjore të përcaktojnë shkakun e saktë të humbjes së jetës, për të parë nëse bëhet fjalë për një goditje kardiake apo komplikacione të tjera shëndetësore.