Vetëm 10 minuta pasi në kryeqytet u raportua vrasja me thikë e Egli Pashollarit, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në Tiranë.
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në Rrugën e Kavajës, ku ka mbetur i plagosur 34-vjeçari Akil Koxhaxhiku. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhej në një restorant së bashku me të fejuarën, kur situata mes tyre ka degraduar në konflikt verbal.
Në debat e sipër është paraqitur edhe Besjan Ferazini, i cili ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të 34-vjeçarit, duke e plagosur me një plumb në bark.
Ferazini dyshohet se ka pasur më herët një lidhje me të fejuarën e të plagosurit dhe hetimet paraprake flasin për një konflikt me motive xhelozie, që dyshohet të ketë çuar në përplasjen me armë.
Pas plagosjes, e fejuara e ka transportuar menjëherë 34-vjeçarin me makinë drejt një spitali privat në Tiranë, ku ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia është vënë në ndjekje të autorit të dyshuar, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, që dyshohet të jetë një tjetër krim pasioni në kryeqytet.