Një apel urgjent për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për 55-vjeçarin Besnik Gegolli, i cili prej 5 muajsh ndodhet i intubuar në spital, në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Sipas bashkëshortes së tij, Irena Gegolli, gjatë kësaj periudhe ai ka kaluar disa komplikacione të rënda, përfshirë trombozë në zemër, trombozë në mëlçi, epilepsi dhe goditje në kokë. Fillimisht ka qenë i shtruar në spital shtetëror, por më pas, me rekomandim si rast i specializuar, është transferuar në një klinikë private në Larisa, ku po merr trajtim intensiv.
Kostot e trajtimit janë shumë të larta dhe, sipas familjarëve, tashmë janë përtej mundësive të tyre financiare.
Në një video prekëse, bashkëshortja e tij shprehet:
“Përshëndetje! Jam bashkëshortja e Besnik Gegollit, Irena Gegolli. Kam 5 muaj që e kam burrin në intubim, në spital. Gjatë kësaj kohe, burri im pësoi trombozë në zemër, trombozë në mëlçi, epilepsi dhe goditje në kokë. Spitali shtetëror na e dërgoi në një klinikë private në Larisa. Atje kostot janë shumë të mëdha. Familja ime nuk mund t’i përballojë më ato. Kush mundet, me dorë në zemër, të më ndihmojë për burrin, ta shpëtojmë. Ju lutem, ju lutem, ju lutem. Ishte njeriu që mbante familjen. Faleminderit shumë.”
Familja ka hapur edhe një faqe në GoFundMe, ku djali i tij, Kosta Gegolli, shkruan se babai i tyre ka qenë gjithmonë shtylla e familjes, një njeri punëtor dhe i përkushtuar, ndërsa sot është ai që ka nevojë për ndihmë urgjente.
Çdo kontribut, sado i vogël, do të ndihmojë për të përballuar:
– trajtimet mjekësore – analizat dhe kontrollet – medikamentet – shpenzimet e qëndrimit në spital
Familja bën thirrje që, nëse nuk keni mundësi për ndihmë financiare, të paktën ta shpërndani apelin, pasi çdo mbështetje është jetike në këtë moment të vështirë.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë mund ta bëjnë përmes faqes së hapur në GoFundMe nga familjarët.
Në raste të tilla, solidariteti mund të bëjë diferencën mes jetës dhe shpresës.