Një qytetare nga Roskoveci i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të rrezikshme që ka ndodhur mbrëmjen e sotme. Ajo ka dërguar një video ku shihen disa të rinj teksa hedhin fishekzjarre jo në ajër, por në mënyrë horizontale, drejt rrugës dhe pranë këmbëve të njerëzve që po kalonin aty afër.
Pamjet e mbërritura në redaksi tregojnë qartë momentet kur fishekzjarret shpërthejnë në tokë me flakë dhe shkëndija, duke rrezikuar seriozisht kalimtarët. Të rinjtë duken të qeshur dhe të pavetëdijshëm për rrezikun, ndërsa i përdorin fishekzjarret pothuajse si të ishin 'armë'.
“Shiko çfarë bëjnë adoleshentët në Roskovec, hedhin fishekzjarre nëpër këmbët e njerëzve, i përdorin si të ishin armë. Videoja është filmuar mbrëmjen e sotme”, shkruan qytetarja në mesazhin e saj për redaksinë tonë.
Ky rast vjen vetëm pak ditë pasi një problematikë e ngjashme u raportua nga zona e Astirit, ku grupe fëmijësh dhe adoleshentësh po hidhnin kapsolla me zhurmë të fortë, duke shqetësuar banorët dhe duke krijuar rrezik për kalimtarët.
Edhe pse përdorimi dhe shitja e fishekzjarreve dhe kapsollave është e ndaluar prej vitesh, duket se këto mjete vazhdojnë të qarkullojnë lirshëm, duke rritur rrezikun sidomos gjatë festave të fundvitit. Banorët kërkojnë kontrolle më të rrepta nga autoritetet përpara se të ndodhë ndonjë incident i rëndë.