Një 33-vjeçar shqiptar është ndaluar nga autoritetet franceze në pikën e pagesës “La Turbie”, në autostradën A8, teksa drejtonte automjetin e tij.
Gjatë kontrollit, oficerët e doganës kanë zbuluar në bagazhin e makinës 17.8 kg kokainë, të ndara në 16 pako, me një vlerë të përllogaritur prej 1.215.500 euro në tregun e zi.
Sipas mediave lokale, i ndaluari është banor i Montpellier-it dhe është shoqëruar fillimisht në xhandarmëri, ku është marrë në pyetje. Ai ka pranuar se vepronte si korrier droge, duke deklaruar se e kishte bërë nga vështirësitë financiare, pasi kishte një fëmijë për të mbajtur dhe prindër të sëmurë.
Mësohet se automjeti tip Opel, i blerë në shtator, kishte kaluar më parë në disa shtete europiane si Spanja, Italia, Belgjika dhe Gjermania, por sipas hetimeve paraprake, autoritetet nuk kanë mundur ta lidhin me rrjete të organizuara më të mëdha.
33-vjeçari është lënë në paraburgim dhe pritet të dalë para gjykatës më 2 shkurt, ndërsa hetimet vijojnë.