Gjendja e aksit rrugor Maqellarë–Peshkopi vijon të jetë një kërcënim i përditshëm për qytetarët, ndërsa institucionet përgjegjëse vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje dhe pa ndërhyrë. Sot një familje raportoi se për pak sa nuk është përfshirë në një aksident të rëndë, vetëm një ditë pasi në të njëjtin segment ndodhi një tjetër ngjarje e ngjashme.
Shkaku i situatës së rrezikshme është prania e vajit në rrugë, e cila e ka bërë asfaltin jashtëzakonisht të rrëshqitshëm. Megjithatë, pavarësisht incidentit të një dite më parë, asnjë institucion nuk ka marrë masa për pastrimin e zonës apo vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese.
Banorët shprehen të indinjuar për mungesën totale të reagimit nga Bashkia Dibër dhe strukturat e tjera të sigurisë rrugore. Sipas tyre, neglizhenca po shndërrohet në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e njerëzve që kalojnë çdo ditë në këtë aks.
Mesazhi i qytetarit:
Prsh JOQ, sot në aksin Maqellarë-Peshkopi desh na shuan si familje. Jo më gjatë se dje u bë një aksident në këtë aks dhe nuk merren masa.