Një ngjarje e rëndë është shënuar në Durrës, ku një 76-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi dhunoi rëndë bashkëshorten e tij brenda banesës.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 17, pas një konflikti për motive të dobëta. I dyshuari, shtetasi A. R., ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, 70-vjeçares F. D., duke e goditur me një send të fortë. Si pasojë, e moshuara ka pësuar dëmtime serioze dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Policia ka ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe duke vënë në pranga autorin në flagrancë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, e cila ka tronditur opinionin publik dhe ka rindezur shqetësimin për dhunën në familje.