Ky 8 Dhjetor që po vjen është sërish pushim zyrtar. Në letër, kjo datë shënon Ditën Kombëtare të Rinisë, ditën kur guximi studentor përmbysi një sistem diktatorial në emër të demokracisë. Por, le të jemi të sinqertë: çfarë ka mbetur sot nga ajo frymë, rreth 34 vite më vonë?
Sot, 8 Dhjetori është thjesht një ditë tjetër dembelizmi në kalendar. Është një ditë e qetë ku të rinjtë "vegjetojnë" kafeneve dhe ata që duket sikur kanë lindur me kollare në qafë – që mbajnë një vend pune shteti derisa të dalin në pension – gëzojnë thjesht një ditë më shumë pushim të paguar.
Po ku e gjen ky 8 Dhjetor rininë shqiptare sot?
Jo në sheshe duke kërkuar të drejta, por në agoni mbijetese.
Ëndrra për një shtëpi ka vdekur: Një çift të rinjsh sot e ka të pamundur të blejë një apartament për të ndërtuar të ardhmen. Çmimet stratosferike, të fryra nga pastrimi i parave të pista dhe kullat e betonit, i kanë bërë shtëpitë të paprekshme për rrogëtarët e ndershëm.
Tregu i punës si "xhungël": Rinia sot përballet me intershipe të papaguara, ligje pune që shfrytëzojnë trurin rinor dhe rroga mjerane prej 30,000 lekësh (pa sigurime) sapo del jashtë Tiranës.
Meritokracia vs. Patronazhisti: Nuk çan përpara ai që mëson, por ai që i shërben partisë. Sistemi i patronazhimit ka zëvendësuar konkurrencën e lirë.
Familja, një luks i pamundur: Sot, të krijosh familje është kthyer në një akt heroik, ose në një privilegj vetëm për të pasurit. Të rinjtë nuk po ndërtojnë dot fole, sepse "foletë" në Tiranë janë lavatriçe parash të pista, jo strehë për qytetarët.
Rinia Rurale, e vrarë dhe e shtypur: Nëse në Tiranë ankohen, në fshat rinia ka vdekur. Rinia rurale është e braktisur totalisht, pa asnjë shpresë, e trajtuar si qytetare e dorës së tretë. Pa rrugë, pa drita, pa internet, pa mbështetje për bujqësinë, ata janë kthyer në "skllevër" të mbijetesës, ku e vetmja rrugëdalje shihet ikja me gomone apo kamionë drejt Anglisë. Fshatrat po kthehen në fantazma.
Laku në fyt dhe depresioni: Më e rënda nga të gjitha është shëndeti mendor. Pasiguria për të nesërmen, varfëria dhe presioni social po çojnë gjithnjë e më shumë të rinj drejt aktit ekstrem. Kronikat e zeza mbushen me të rinj që i japin fund jetës nga dëshpërimi, ndërsa shteti ofron vetëm heshtje. Vetëvrasja po bëhet ulërima e heshtur e një brezi që nuk gjen dot vend në shtëpinë e vet.
Statistikat e "Eksodit" dhe Mjerimit Raportet nuk janë thjesht numra, janë kambana alarmi që bien për veshë të shurdhër. Gjatë 10 viteve të fundit, mbi 140 mijë të rinj kanë braktisur Shqipërinë.
Ata që mbeten, përballen me papunësi masive: 51% e grupmoshës 15-29 vjeç nuk janë në marrëdhënie pune.
Shfrytëzim: Intershipe të papaguara, punë pa sigurime dhe ligje që mbrojnë padronin, jo punëtorin.
Diplomat pa vlerë: Sipas INSTAT, parashikohet që në 2025, rreth 65.8% e të rinjve me arsim të lartë të jenë pa punë.
Shuplaka nga sistemi arsimor: Edhe në universitete, ku duhet të lindë shpresa, mbretëron mediokriteti. Studentët përballen me pedagogë arrogantë që nuk japin llogari. Tekstet mësimore shpesh janë plagjiatura pa vlerë, dhe njohuritë e ofruara janë të vjetruara dhe nuk i shërbejnë tregut të punës. Diploma është thjesht një letër e shtrenjtë.
Nga ana tjetër, "përfaqësuesit" e rinisë gëzojnë. Faqjet e tyre të Fejsbuk-ut më të shtrenjta se komunikimi si për shembull, faqja e fejsbukut e Bora Muzhaqit, ku ministrat dhe deputetët "e rinj" të Shqipërisë janë zhytur në botën e imazhit. Gjatë kësaj dite, do të shohim vetëm foto nga konferenca luksoze, hotele të shtrenjta dhe fasada hipokrite. Kostoja për të mirëmbajtur faqen e tyre në Facebook, për të shpërndarë imazhe të rreme, është më e lartë se komunikimi konkret dhe zgjidhja e problemeve të rinisë.
Statistikat e Mjerimit: Rinia në ikje dhe e papunë
Raportet flasin më qartë se çdo propagandë qeveritare. Raporti kombëtar "Rinia në Shqipëri" dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë japin alarmin për grupmoshën 15-29 vjeç (23% e popullsisë): Mbi 140 mijë të rinj e të reja janë larguar nga Shqipëria vetëm gjatë 10 viteve të fundit.
Ata që mbeten këtu, përballen me një mur të lartë papunësie. 51% e të anketuarve të kësaj grupmoshe deklarojnë se nuk janë në marrëdhënie pune.
Më tragjikja është se as diploma nuk të shpëton më. Sipas të dhënave të INSTAT, parashikimet për vitin 2025 janë të zymta: rreth 40.4% e të rinjve me arsim të mesëm dhe 65.8% e atyre me arsim të lartë janë pa punë.
Ky 8 Dhjetor nuk është festë. Është një ditë zie për rininë që ikën, për ata që nuk krijojnë dot familje dhe për ata që në dëshpërim e sipër, shohin vdekjen si shpëtim. Të vetmit që festojnë, janë ata që i kanë vënë shkelmin të ardhmes së këtij vendi.