Pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën 15-vjeçarit Erjon Boba, të rinjtë e Bulqizës kanë thirrur një protestë për ditën e diel në qendër të qytetit.
Njëri prej tyre ka dërguar një video në redaksinë e JOQ Albania, ku u bën thirrje bashkëmoshatarëve dhe qytetarëve të bashkohen në protestë, duke theksuar se ndihen të tronditur nga tragjedia dhe se duhet të ngrihet zëri për të drejtat e të rinjve.
“Përshëndetje JOQ! Nga rasti i Erjonit, ne jemi tronditur të gjithë. Prandaj ne të rinjtë nuk duhet të heshtim, por duhet të ngremë zërin për të drejtat tona që po cenohen çdo ditë e më shumë. Prandaj, bëhuni pjesë e protestës që do të bëhet ditën e diel në qendër të Bulqizës, nga ora 10 deri në orën 1. Protestë e cila bëhet për drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave tona. Mendoj se publikimi nga ju do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për ne. Protesta do të mbahet ditën e diel, nga ora 10:00 deri në 13:00,” shprehet i riu për JOQ Albania.
15-vjeçari Erjon Boba ndërroi jetë dje në QSUNT, pas disa ditësh luftë për jetën. Ai u plagos rëndë me thikë më 25 nëntor gjatë një konflikti mes adoleshentësh në Durrës.
Sipas burimeve policore, konflikti nisi nga një debat dhe ofendime në rrjetet sociale, që u përshkallëzua më pas edhe në shkollë. Të dy adoleshentët janë takuar për sqarim, por situata degradon në përdorimin e thikës, ku 14-vjeçari me iniciale M.K. goditi disa herë Erjonin në gjoks.
I mituri do të përcillet në banesën e fundit këtë të shtunë në vendlindjn e tij, Bulqizë.