Fshatrat Krekez dhe Koritzë në njësinë administrative Lumas të bashkisë Kuçovë po përballen me një shpopullim masiv, duke lënë pas rrugë të zbrazëta, shtëpi të mbyllura dhe vetëm pak të moshuar që përpiqen të mbijetojnë me pensionet e tyre të vogla.
“Këtu kanë ngelur vetëm moshatarët, të tërë pensionistë. Me atë pak pension që marrim s’ja dalim dot për asgjë, vetëm ilaçet na duhen 270 mijë lekë në muaj,” shprehet Xhemili, banor i zonës.
Largimi i të rinjve drejt emigracionit ka lënë edhe bujqësinë dhe fermerët në hall, pasi mungon fuqia punëtore për mbledhjen e prodhimeve. Safeti, një tjetër banor, tregon:
“Vijmë vërdallë me ndonjë kokërr ulliri, fëmijët i kemi larg, jo në Gjermani, jo në Greqi. Pa punëtorë nuk ka prodhim, gjithçka mbetet e pa mbledhur.”
Banorët përshkruajnë një ambient të shkretë, ku jeta sociale dhe familjare është zhdukur:
“Vijnë më fëmijët këtu? Ku do vijnë! Çupat u lindën e u rritën andej, kthehen këtu dhe shikoni, është shkretëtirë. Nuk është bërë asnjë dasmë në 10 vite,” tregon Fatimja, një banore e moshuar.
Ata pak të rinj që kanë mbetur janë të gjithë beqarë, duke theksuar humbjen e vazhdueshme të jetës familjare dhe sociale në këto zona.
Banorët kërkojnë veprime urgjente nga institucionet për të frenuar boshatisjen dhe për të rikthyer jetën në këto fshatra, që dikur numëroheshin me mijëra banorë.