Në Washington u hodh shorti i Kampionatit Botëror “USA–Kanada–Meksikë 2026”, një event spektakolar që shoqërohej me performanca të Andrea Bocelli, Robbie Williams dhe Nicole Scherzinger, dhe ku prezantuan Heidi Klum, Kevin Hart dhe Danny Ramirez. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidenti amerikan Donald Trump mbajtën fjalime hapëse.
Nga 48 skuadrat pjesëmarrëse, 42 janë konfirmuar, ndërsa 6 vendet e fundit do të përcaktohen në mars pas ndeshjeve të “Play Off”-it.
Në rast se Shqipëria kualifikohet përmes Play Off-it evropian, ajo do të futet në Grupin F së bashku me:
Holandë
Japoni
Tunizi
Kosova, nëse siguron vendin për Botëror, do të jetë në Grupin D, ku ndodhen SHBA, Australia dhe Paraguai.
Tre vendet pritëse, SHBA, Kanada dhe Meksikë, janë automatikisht në vazon e parë. Katër kombëtaret me renditjen më të lartë, Spanja, Argjentina, Franca dhe Anglia nuk do të përballen deri në gjysmëfinale nëse fitojnë grupet e tyre.
Pjesa tjetër e grupeve u formua sipas një sistemi që siguron barazi të përfaqësimit të Evropës dhe kontinenteve të tjera, ndërsa vendet e Play Off-it (përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën) u vendosën në vazon e katërt, duke përgatitur sfida të mundshme me ekipe shumë të forta.
Ky short tregon se rruga e Shqipërisë drejt Botërorit 2026 nuk do të jetë e lehtë, me një sfidë të mundshme direkte ndaj Holandës, një nga skuadrat më të fuqishme europiane.