Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin Khost të Afganistanit, ku Talebanët kanë detyruar një 13-vjeçar të kryejë një ekzekutim publik. Rreth 80 mijë persona u mblodhën në një stadium sportiv për të parë momentin kur i mituri qëlloi për vdekje një burrë të identifikuar si Mangal, i cili akuzohet se kishte vrarë 13 anëtarë të familjes së tij.
Pamje të publikuara online tregojnë turma të mëdha që brohorasin teksa shfaqja makabre zhvillohet publikisht. Sipas autoriteteve talebane, ekzekutimi është kryer si pjesë e dënimit “Qisas”, një formë ndëshkimi sipas ligjit të Sheriatit, e ngjashme me parimin “sy për sy e dhëmbë për dhëmbë”.
Gjykata Supreme e Afganistanit tha se familjes së viktimave i ishte ofruar mundësia e faljes, por ata kishin kërkuar zbatimin e Qisasit. Edhe pse deklarata nuk specifikoi se kush kreu ekzekutimin, mediat vendase raportojnë se ishte pikërisht djali 13-vjeçar, i afërm i viktimave.
Sipas gjykatës, edhe dy djemtë e Mangalit pritet të ekzekutohen, pasi konsiderohen bashkëfajtorë. Dënimi i tyre është shtyrë derisa të kthehen disa të afërm të tjerë të familjes së masakruar.
Ky është ekzekutimi i 11-të publik që nga rikthimi i Talebanëve në pushtet në vitin 2021, ndërsa sipas mediave, ai i së martës ishte më masivi deri tani.
Kombet e Bashkuara e kanë dënuar ashpër ngjarjen. Raportuesi Special për Afganistanin, Richard Bennett, e cilësoi ekzekutimin publik si “çnjerëzor, mizor dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.
Mangal ishte dënuar për pjesëmarrje në vrasjen e një familjeje të tërë në Khost, përfshirë nëntë fëmijë dhe nënën e tyre, sipas zëdhënësit të policisë lokale.