750 MLN për Allajbeun: Shteti zgjedh ofertën më të shtrenjtë!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.12.2025, 18:49

Një tjetër episod i rëndë i abuzimit me paratë publike po shpaloset në zemër të sistemit shëndetësor shqiptar. Në tenderin prej 750 milionë lekësh për pajisje të shërbimit të kardiokirurgjisë, institucionet e shtetit kanë zgjedhur të shpërblejnë sërish kompaninë e lidhur me biznesmenin Klodian Allajbeu, duke skualifikuar ofertën më të ulët një praktikë që në çdo vend normal do të përbënte alarm për korrupsion.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituese kompaninë Evita sh.p.k, në pronësi të Allajbeut, me ofertë rreth 660 milionë lekë. Ndërkohë, kompania tjetër në garë, Montal sh.p.k, kishte paraqitur ofertë shumë më të ulët: vetëm 540 milionë lekë.

Pra, shteti ka zgjedhur të paguajë 120 milionë lekë më shumë nga paratë e qytetarëve në një kohë kur spitaleve u mungojnë ilaçet bazë dhe pacientët blejnë vetë materialet mjekësore.

OBP justifikon skualifikimin e ofertës më të ulët me argumentin se nuk përmbushte “specifikimet teknike”. Ky është justifikimi klasik i tenderave të paracaktuar, ku kriteret rregullohen me bisturi që të mbeten tek operatori i dëshiruar.

Në shumicën e rasteve, këto “specifikime” janë të shkruara enkas për të përjashtuar konkurrencën, duke i hapur rrugën çmimeve të fryra dhe abuzimit me fondet publike.

Kompania Evita sh.p.k është mes përfituesve kryesorë të tenderave dhe koncesioneve në sektorin e shëndetësisë. Pavarësisht kritikave të vazhdueshme dhe raportimeve publike, institucionet vazhdojnë t’i japin miliona euro fonde publike, ndërkohë që sistemi shëndetësor është në gjendje degradimi.

Ky rast fakton sërish se sistemi i prokurimeve publike funksionon në kurriz të interesit publik. Në çdo vend të BE-së, një tender me diferencë kaq të madhe çmimesh do të çonte automatikisht në hetim të thelluar. Në Shqipëri, shpallet fituesi më i shtrenjtë dhe askush nuk jep llogari.

Kompania e skualifikuar ka kohë deri më 23 dhjetor për të ankimuarr vendimin. Por në një sistem ku gara është fasadë, mbetet për t’u parë nëse ankimi do të ndryshojë diçka apo gjithçka ishte e mbyllur që në nisje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit