Afera 16 mln € në Hoxharë: Gjurma e Ballukut del sërish në dritë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.12.2025, 18:25

Hetimet e platformës “Vetting” kanë zbërthyer një tjetër skandal të rëndë në Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), ku fijet çojnë sërish drejt projekteve të firmosura në kohën e ministres Belinda Balluku. Në qendër të dyshimeve është projekti energjetik Fier–Hoxharë, me vlerë totale 15.4 milionë euro, i cili sipas burimeve të brendshme, paraqet shkelje flagrante në procedurat e prokurimit, shtesë kostosh dhe nisje punimesh pa leje ndërtimi.

Në janar 2023 fituese e projektit për ndërtimin e linjës së re 220 kV dopjo qark Fier–Hoxharë dhe nënstacionit 220/110/20 kV Hoxharë u shpall kompania “LA-OR” sh.p.k (me pronar Laert Duro), me ofertë 13.4 milionë euro, vetëm pak nën fondin limit 13.6 milionë euro.

Gara, sipas burimeve, ka qenë vetëm formale: kompania tjetër nuk kishte dorëzuar ofertën dhe skualifikohej automatikisht. Audituesja Meri Lika e quan këtë praktikë “tendera me kritere të paracaktuara që favorizojnë një operator të vetëm”.

Në kundërshtim të plotë me dokumentet e tenderit, OST hapi më pas edhe një fazë të dytë punimesh: 1.8 milionë euro shtesë, sërish pa garë dhe sërish fituar nga “LA-OR”. Punime që sipas dokumenteve ishin përfshirë që në tenderin e parë, duke ngritur dyshime për pagesë të dyfishtë.

Ekspertët e OST-së tregojnë se projekte të ngjashme kanë kushtuar dukshëm më pak. P.sh., linja Komsi–Shumat, 32 km më e gjatë se ajo e Hoxharës, kushtoi 10 milionë euro, ndërsa nënstacioni i Shumatit vetëm 720 milionë lekë.

Në rastin e Hoxharës, edhe autotransformatori nuk është i ri, është marrë nga nënstacioni i Rrashbullit, Durrës. Vetting llogarit se kostoja reale duhet të ishte më e ulët me rreth 500 milionë lekë.

Tenderi është firmosur në shkurt 2023, punimet nisën para tetorit 2023, ndërsa leja e ndërtimit është miratuar në tetor 2023 dhe zbardhur vetëm në janar 2024. Kjo është një shkelje e rëndë e ligjit, që sipas burimeve lidhet me vendimmarrje të KKT-së me propozim të Belinda Ballukut.

Edhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis është bërë në mënyrë të dyshimtë, pasi procedura është miratuar pasi kontrata duhej të ishte nënshkruar, gjë që ligjërisht është e pamundur.

Skandali i Hoxharës i shtohet rasteve të tjera si Unaza e Tiranës, rezervuarët në Durrës e Xhafzotaj dhe problemet e linjave Koman–TR2. Mospërmbushja e standardeve teknike dhe punimet pa leje dyshohet se kanë kontribuar edhe në stakimin masiv të 5 janarit 2025, kur gjysma e vendit mbeti pa energji.

Ndërkohë, projekti energjetik “Tirana Ring” vazhdon pafund prej vitit 2019, me vonesa të pajustifikueshme dhe kosto të shtuara.

Prej tetorit 2024, SPAK ka nisur hetimin për kompanitë publike në sektorin energjetik. Por deri sot, nuk ka asnjë të ndaluar apo të pandehur, ndërsa dëmi i mundshëm për buxhetin e shtetit vlerësohet në miliona euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit