Atentati ndaj Mondi Mëhallës: Familjarët mohojnë përfshirjen e dy të dyshuarve, firmosin për ta

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.12.2025, 15:34

Ish-ortaku i Mondi Mëhallës, të vrarë në atentatin e 30 nëntorit, si dhe roja i karburantit në pronësi të tij, i kanë paraqitur Gjykatës së Elbasanit deklarime të familjarëve të të ndjerit, ku theksohet se dy të arrestuarit e Prokurorisë nuk kanë lidhje me ngjarjen.

Për Xhino Agon firmosën motra dhe vëllai i Mëhallës, ndërsa për Kujtim Pishën, deklarata është nënshkruar nga kunati i biznesmenit, njëkohësisht menaxher i “Xhaxhi Oil”. Megjithë këto garanci, gjykata vendosi t’i mbajë të dy në masën “arrest në burg”.

Prokuroria pretendon se ndaj Agos ekziston një provë kyçe: automjeti “Audi” nga i cili dyshohet se doli autori i atentatit për të qëlluar mbi Mëhallën. Mjeti rezulton i regjistruar në emër të kompanisë së makinave me qira të menaxhuar nga Ago, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se makina është dhënë me qira afatgjatë. Personi që e kishte marrë, 32-vjeçari Marselo Arani, është shpallur në kërkim së bashku me 35-vjeçarin Armando Kola.

Ndërkohë, Kujtim Pisha, banakier në karburantin para të cilit u ekzekutua Mëhalla, akuzohet për moskallëzim krimi.

Në gjykatë ai tregoi se në momentin e të shtënave ishte duke ngrënë, e më pas është njoftuar nga nëna e viktimës që banon pranë vendngjarjes. Sipas tij, trupin e pajetë e gjetën ai, një punonjës tjetër dhe menaxherja e taksive, e cila ka njoftuar policinë. Pisha shtoi se personi i vetëm që ka telefonuar vetë ishte kunati i Mëhallës, për t’i treguar ngjarjen.

Mëhalla, 43 vjeç, raportohet të ketë qenë pak minuta më parë në drekë me familjarët. Pasi doli nga banesa e nënës dhe hyri në “Range Rover”-in e tij, u qëllua për vdekje.

Policia e Elbasanit vijon kërkimet për dy personat e shpallur në kërkim, me të cilët dyshohet se viktima kishte konflikte të lidhura me drogën. Ndërkohë, i arrestuari i tretë, 29-vjeçari Nevzat Spaho, pritet të dalë së shpejti për masën e sigurisë.

Hetuesit dyshojnë se ai mund të jetë ekzekutori, por po presin rezultatet e analizave të barutit në duar, që mund të jenë provë vendimtare për çështjen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit