Britania e vendosur për të përzënë 700 familje shqiptare: U ofron nga 3000£ për t’u larguar vullnetarisht

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.12.2025, 12:59

Rreth 700 familjeve shqiptare në Britani, të cilave u ka përfunduar e drejta e qëndrimit, mund t’u ofrohet një shumë prej mbi 3,000 stërlinash nëse pranojnë të largohen vullnetarisht. Ky vendim synon përshpejtimin e deportimeve dhe uljen e kostove për taksapaguesit britanikë.

Kjo nismë vjen pas marrëveshjes për riatdhesimin e shqiptarëve, e nënshkruar në vitin 2022 mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ish-kryeministrit britanik Rishi Sunak. Zv-ministri për Sigurinë e Kufijve, Alex Norris, deklaroi se kjo shumë përbën një “investim të mirë për taksapaguesin”, edhe pse nuk specifikoi shifrën maksimale që mund t’u jepet familjeve.

“Për momentin mund të paguajmë rreth 3,000 stërlina dhe nuk kërkoj ndjesë për këtë fakt,” tha ai, duke shtuar se qëllimi është të ulen shpenzimet e mbajtjes së familjeve në Britani, nëse ato do të qëndronin më gjatë. Zv-ministri theksoi se fëmijët e azilkërkuesve, edhe nëse kanë lindur në Britani, do të deportohen në rastet kur kërkesat e azilit janë refuzuar, sipas ligjeve të emigracionit.

Ministrja laburiste e Punëve të Brendshme, Shabana Mahmood, kishte njoftuar fillimisht për dëbimin e 700 familjeve shqiptare gjatë prezantimit të reformës së emigracionit në parlamentin britanik dhe po shqyrton mundësinë e rritjes së shumës për ata që pranojnë të largohen vullnetarisht.

Sipas zyrtarëve britanikë, mungesa e prioritetit në largimin e familjeve ka bërë që “përfitimi personal i vendosjes së një fëmije në një anije të rrezikshme të ketë më shumë rëndësi sesa rreziqet e konsiderueshme të këtij veprimi”.

Për të përshpejtuar deportimet, Ministria e Brendshme hapi këtë javë një qendër të tetë për largimin e emigrantëve pranë Oxfordit, Campsfield House, që shton 160 shtretër në totalin prej 2,400 të aktualëve dhe pritet të zgjerohet me 240 shtretër të tjerë. Në këtë qendër do të mbahen migrantët që vijnë me anije të vogla, kriminelët e huaj të deportueshëm dhe ata që punojnë në Britani pa leje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit