Një dosje voluminoze hetimore ka zbardhur detaje tronditëse nga ngjarja e ndodhur në fund të tetorit në Bilisht, ku Ilir Topçiu u rrëmbye dhe u dhunua rëndë nga Alti Nallbati, i njohur si “Duçja”, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku. Tre të dyshuarit, të cilët akuzohen për “heqje të paligjshme të lirisë”, “plagosje të lehtë me dashje” dhe “kanosje”, u lanë në arrest me burg për 40 ditë nga Gjykata e Korçës dhe prej 30 ditësh ndodhen në paraburgimin e Drenovës. Ndërkohë, familjarët dhe avokatët e tyre raportohet se po përpiqen të negociojnë me viktimën për të tërhequr kallëzimin.
Nga hetimet rezulton se Topçiu është mashtruar nga shoku i tij Trajan Çeliku, i cili e ka marrë me makinë me pretekstin se do ta ballafaqonte me shefin e krimeve, pasi dyshohej se ai kishte “spiunuar” për një çështje të mëparshme policore. Në vend që ta çonin në komisariat, ai u dërgua në një magazinë të Nallbatit, ku sipas dëshmisë së tij, u dhunua brutalisht për rreth 10 minuta nga tre personat. Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar dëmtime të shumta në trup, përfshirë plagë nga goditjet si dhe djegie në ballë të shkaktuara nga fikja e një cigareje.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta, duke çuar edhe në masa disiplinore ndaj drejtuesve të policisë së Korçës dhe Devollit. Sipas dëshmisë në polici, Topçiu ka qëndruar për ditë të tëra i mbyllur në shtëpi nga frika, ndërsa shenjat në trup i janë pikasur nga nëna e tij, e cila deklaroi se djali mezi merrte frymë dhe kishte frikë për jetën e tij. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa tre të dyshuarit mbeten në qeli deri në përfundimin e afatit të masës së sigurisë.