Marie Tanku, 88 vjeçe, deklaron se prej katër vitesh po lufton në gjykatë pas dyshimeve për falsifikim të dokumenteve të pronës së saj në favor të Marjana Tankut, Mauro Tankut dhe Simone Tankut, nusja e dytë e djalit të saj. Sipas saj, këto persona kanë kryer veprimet kryesore të përvetësimit të pronës, ndërsa shton se më 24 nëntor 2022 ka qenë viktimë e dhunës fizike të nuses së dytë. Ajo thotë se, me dokumente të falsifikuara pranë noteres Etleva B. Stamo, prona e saj është shitur te familja Minolamaj për llogari të Aleksandër Llazi Tankut, djalit të vëllait të bashkëshortit të ndjerë.
Tanku akuzon edhe zyrtarë publikë, duke deklaruar se një pjesë e veprimeve mbi pronën e saj janë kryer me ndihmën ose tolerimin e punonjësve të ASHK-së Fier, përfshirë drejtorin Everest Kazheli dhe Ervin Çelën. Sipas saj, në këtë çështje kanë rol edhe zyrtarë të Bashkisë Fier, përfshirë drejtorin Arben Dimo, si dhe inspektorin e IMT-së, Besnik Shanaj, të cilët ajo i akuzon për shpërdorim detyre dhe veprime të favorshme ndaj palëve të interesuara, pavarësisht se prona është ende në proces gjyqësor.
E moshuara thotë se në pronën e saj janë kryer prishje dhe punime pa vendim gjykate dhe pa leje nga Bashkia, duke e lënë atë, sipas pretendimeve të saj, pa asnjë mbrojtje institucionale. Marie Tanku kërkon ndërhyrje urgjente të organeve të drejtësisë për verifikimin e të gjitha veprimeve, ndëshkimin e përgjegjësve dhe rikthimin e pronës që ajo thotë se po i merret padrejtësisht.