Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e Mondi Mëhallës, i njohur edhe si Hyka, i vrarë më 30 nëntor 2025 në Elbasan. Sipas burimeve policore, autor i dyshuar i atentatit është Nevzat Spaho, i quajtur nga hetuesit si person me rrezikshmëri të lartë, i cili dyshohet se e ka qëlluar viktimën me tre plumba pistolete duke e lënë të vdekur në vend.
Sipas Policisë së Elbasanit, Nevzat Spaho ka qenë më parë i dënuar për disa vepra penale, përfshirë “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “vjedhje”, “shtrëngim me anë të kanosjes për marrje pasurie”, “mbajtje pa leje të armëve” si edhe një plagosje të kryer gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Fierit. Ai raportohet se ka pasur kontakte me një grup kriminal të Pogradecit, disa prej të cilëve janë nën hetim në Korçë dhe SPAK.
Hetimet kanë zbuluar se para ngjarjes, Mondi Mëhalla dhe partneri i tij në biznes Xhino Ago i kishin dhënë rreth 10 automjete një personi të identifikuar si Marselo Arani, i njohur me nofkën “Boli”. Transaksioni dyshohet se ishte pjesë e një marrëveshjeje për shkëmbimin e automjeteve me një apartament në Tiranë.
Sipas burimeve, apartamenti ishte shitur disa herë më parë, çka mendohet se ka shkaktuar konflikt të fortë mes Mëhallës dhe Aranit. Situata është tensionuar edhe më shumë një javë para vrasjes, kur Mëhalla është takuar me Aranin duke i kërkuar prishjen e marrëveshjes dhe kthimin e automjeteve.
Autoritetet raportojnë se në atë takim palët madje kanë diskutuar që vlera të kompensohej me një sasi kokaine, ndërsa debati ka degjeneruar në dhunë fizike, me Mëhallën që dyshohet se ka goditur Aranin me grushte. Konflikti më pas është shoqëruar me kërcënime reciproke për vrasje.
Pas vrasjes së Mëhallës, disa ditë më pas, Marselo Arani dhe një bashkëpunëtor i tij nga Laçi, Armando Kola, janë shpallur në kërkim kombëtar. Arani në momentin e konfliktit ndodhej nën masën “arrest në shtëpi” për shkak të një hetimi të SPAK mbi “pastrimin e produkteve të veprës penale”, ndërsa disa prej pronave të tij ishin sekuestruar.
Burime të policisë bëjnë me dije se Arani dhe një tjetër person, Armando Hyka, dyshohet të kenë kontraktuar Nevzat Spahon si “vrasës me pagesë”, duke porositur ekzekutimin e Mëhallës. Kjo pistë mbetet aktualisht një nga linjat kryesore të hetimit.
Sipas informacioneve paraprake, Nevzat Spaho ka lëvizur prej vitesh mes aktiviteteve të tregtisë së drogës, bashkëpunimit me grupin e Pogradecit, gjobëvënieve dhe konflikteve të ndodhura brenda ambienteve të burgut.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.