Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin të përfundojë luftën në Ukrainë sa më shpejt, duke paralajmëruar se në të kundërt, Rusia do të përballet me “taksa, tarifa dhe sanksione të larta”.
Në një postim në platformën e tij, Truth Social, Trump tha: “Përfundoni këtë luftë qesharake tani! Gjërat vetëm do të përkeqësohen.” Ai paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, do të vendosë masa të ashpra ekonomike ndaj Rusisë.
"Le t'i japim fund kësaj lufte, e cila nuk do të kishte nisur kurrë nëse unë do të isha president. Ne mund ta bëjmë në mënyrën e thjeshtë ose të vështirë, por mënyra e thjeshtë është gjithmonë më e mirë. Nuk duhet të humbasin më jetë!"
Trump ka premtuar se do të përfundojë luftën brenda ditëve të para të administratës së tij. Ai ka shprehur gatishmërinë për të takuar si Putinin, ashtu edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për të arritur një marrëveshje.
"Nuk dua të dëmtoj Rusinë. Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me Putinin dhe popullin rus," tha Trump. Ai gjithashtu vlerësoi rolin historik të Rusisë në Luftën e Dytë Botërore.
Trump kritikoi Putinin për vazhdimin e luftës, duke theksuar humbjet masive dhe ndikimin negativ në ekonominë ruse. "Mendoj se ai po shkatërron Rusinë duke mos bërë një marrëveshje," tha ai.
Nga ana tjetër, Trump përmendi se Zelensky është i hapur për një zgjidhje diplomatike, por vetëm nëse ajo favorizon Ukrainën. Kievi ka deklaruar se do të pranojë një marrëveshje që siguron rrugën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, një kërkesë që Moska e ka refuzuar vazhdimisht.
Në një takim me presidentin kinez Xi Jinping, Putin shprehu gatishmërinë për të diskutuar me Trump për të ardhmen e luftës, me kusht që të respektohen interesat e Rusisë. "Ne mirëpresim deklaratat e Trump dhe dëshirën e tij për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore," tha Putin, duke e përgëzuar Trump-in për marrjen e postit të presidentit.