Banorët e lagjes së re të Kukësit kanë denoncuar në redaksinë e JOQ gjendjen e rëndë të infrastrukturës rrugore që pengon lëvizjen e kalimtarëve, por edhe mjeteve të ndryshme.
Kuksianët thonë se rruga është shkatërruar prej kohësh, por 4 muajt e fundit gjendja e saj është përkeqësuar edhe më tepër.
Në pamjet e mëposhtme mund të shihet qartë se si rruga është shndërruar në gropa të mëdha të gërryera nga uji, që prej muajsh kanë mbetur pa u riparuar nga autoritetet vendore.
"Kjo rrug esht ne lagjen e re kukes, ktu kalojn fmijet qe shkojn ne shkolle qe 4 muaj esht prish kjo rrug e kan len pas dore”, thonë qytetarët që kërkojnë veprim të menjëhershëm nga zyrtarët në përmbushjen e përgjegjësive dhe lehtësim te jetës së tyre.
“Lagja e Re” e Kukësit është një një zonë ish-informale, e njohur për volumin e ndërtimeve pa kriter të pas viteve '90, por bashkia e qytetit është zotuar prej kohësh se do të zbatojë “një plan të mirëfilltë urbanistik” për sistemimin e infrastrukturës rrugore. Por megjithë premtimet banorët vijojnë të mbeten vetëm fjalë goje pasi kuksianët përballen çdo ditë me vështirësi të shumta në kryerjen e detyrave minimale të jetesës nga mungesa e vëmendjes së zyrtarëve përgjegjës.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga bashkia për të rikthyer normalitetin në këtë zonë dhe për t’i dhënë fund neglizhencës që i ka shoqëruar prej kohësh.