Hetimet mbi ngjarjen tragjike të ndodhur më 13 janar në autostradën Fier-Vlorë, ku humbi jetën Kristian Marku, i njohur edhe si Kristi Bardhi, janë zgjeruar dhe përfshijnë bashkëpunim ndërkombëtar. Grupi hetimor ka kërkuar mbështetje nga Interpoli për të identifikuar persona që mund të kenë lidhje me këtë akt kriminal.
Një nga drejtimet kryesore të hetimeve është Kosova, ku autoritetet po punojnë intensivisht për të mbledhur prova dhe informacione mbi të dyshuarit. Gjithashtu, dyshohet se autorët e ngjarjes mund të kenë kaluar kufirin dhe ndodhen jashtë Shqipërisë.
Sipas të dhënave paraprake, dy mjete janë përfshirë në këtë ngjarje. Një prej tyre dyshohet të ketë shërbyer për ekzekutimin e viktimës, ndërsa mjeti i dytë besohet se ka transportuar autorët pas djegies së automjetit të parë, një veprim që synon të fshehë gjurmët. Hetuesit mendojnë se ndjekja e makinës së viktimës ka nisur që pranë rrethrrotullimit të Levanit, ndërsa atentati është realizuar afër nënkalimit të Novoselës.
Në natën e ngjarjes, Kristian Marku ishte nisur nga Tirana me një automjet të marrë me qira, gjë që ka ngritur dyshime se ai mund të ketë qenë nën vëzhgim edhe në kryeqytet. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij krimi dhe për të identifikuar autorët.