Një tjetër histori “suksesi” vjen nga qeveria Rama, e cila këtë herë ka gjetur një mënyrë “kreative” për të përdorur pronat publike: shndërrimin e rezidencave qeveritare në zonën e Ujit të Ftohtë, në Vlorë, në hotele me 5 yje për “më të merituarit”, oligarkët.
Ky projekt, i miratuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare, synon të kthejë këto prona historike, dikur të destinuara për personalitetet shtetërore, në zona private luksoze. Një hap që sigurisht ka për t’i shërbyer vetëm publikut… të privilegjuar.
Tre godina shtetërore në një nga zonat më të bukura të Rivierës Shqiptare, të ndërtuara fillimisht për pritje zyrtare e pushime të personaliteteve të larta, pritet të transformohen në hotele me 5 yje. Çuditërisht, disa suita do të mbeten të rezervuara për qeveritarët, sepse, natyrisht, edhe ata kanë nevojë për një vend ku të pushojnë nga “lodhjet” e tyre të përditshme.
Në dokumentet e Korporatës, argumentohet se këto prona janë bërë barrë financiare për mirëmbajtje dhe nuk kanë më funksionalitetin e tyre të mëparshëm. Pra, logjika është e thjeshtë: kur diçka nuk përdoret sa duhet, më mirë t’ia dorëzojmë privatëve dhe ta kthejmë në një biznes fitimprurës, për dikë tjetër.
Këto godina ndodhen në një pikë strategjike, vetëm 6 kilometra larg qendrës së Vlorës, në hyrje të Rivierës Shqiptare, ku peizazhet janë “më të përshtatshme” për luksin sesa për qytetarët e thjeshtë. Historikisht, këto rezidenca kanë shërbyer për takime diplomatike dhe pushime të funksionarëve, por, sipas Korporatës, tani janë amortizuar dhe kanë humbur vlerën e tyre “origjinale”.
Në projekt përfshihen “Vila nr. 2” me sipërfaqe ndërtimi 1.126 m², “Vila nr. 6” me 332.48 m² dhe “Vila nr. 9” me 186.18 m². Në total, sipërfaqja që do të shndërrohet në një “oaz” të ri për elitën e privilegjuar është 1.644.7 m².
Por pjesa më interesante mbetet justifikimi. Në raport thuhet se projekti është një “mundësi e shkëlqyer” për të ruajtur trashëgiminë historike, ndërkohë që adoptohen standardet më të avancuara të mikpritjes. Epo, kush tha që trashëgimia nuk mund të ruhet më mirë kur të shndërrohet në një hotel me 5 yje?
Dikush mund të mendojë se kjo është një formë tjetër privatizimi të pasurive publike në interes të oligarkëve, por në fakt, kjo është një “shenjë përparimi” që dëshmon se si prona shtetërore mund të përdoret për të kënaqur një grusht të vogël njerëzish. Një model që, për ironi të fatit, na vjen si një mësim për ekonominë “moderne”!