Ligji për paga hyn në fuqi edhe një javë, koeficienti mbetet sekret i pushtetit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 26.01.2023, 21:18

Pas një jave, do të hyjë në fuqi Ligji për Pagat në Sektorin Publik. A do të ketë ulje apo ngritje, ende s’e di askush. Koeficientët për pozita janë bërë të ditur, por jo edhe vlera monetare e koeficientit. Nga Qeveria s’kanë pranuar të flasin për këtë çështje, derisa në media janë përfolur tri opsione se sa mund të jetë vlera e koeficientit. E nga opozita kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Kushtetueses për këtë ligj.

Nga muaji shkurt, mbi 80 mijë punëtorëve të sektorit publik do t’u ndryshojnë pagat. Por, sa para do t’i marrin saktësisht, s’e di asnjëri.

Qeveria po vazhdon ta mbajë sekret vlerën monetare të koeficientit edhe pse ka mbetur vetëm edhe një javë nga data kur Ligji për Pagat në Sektorin Publik do të hyjë në fuqi.

T 7 ka dërguar pyetje te Zyra e Kryeministrit lidhur me atë se kur do ta përcaktojë vlerën e koeficientit dhe vlerat që po diskutohen, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Duke u thirrur në burime brenda institucioneve, mediat kanë raportuar se vlerat që po diskutohen janë 100 euro, 120 euro dhe 130 euro.

Shuma e caktuar do të shumëzohej pastaj me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe do të prodhonte vlerën e pagës.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik është hedhur në votim dhe miratuar nga deputetët pa e ditur vlerën e koeficientit, e madje edhe është dekretuar si i tillë nga Presidentja.

Vlera ishte thënë se do të përcaktohet në janar të këtij viti, edhe pse deri tash s’ka asgjë në këtë drejtim.

Kishte qenë vetë Kryeministri Albin Kurti, ai që e kishte dhënë këtë deklaratë.

“Ne nuk mundemi ta përcaktojmë koeficientin në Ligjin e Pagave sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar. Ju po kërkoni tash përafërsisht sot më 24 dhjetor, unë po kërkoj pak durim prej juve dhe jo përafërsisht, por saktësisht në janar 2023”, kishte thënë Kurti.

Ai kishte thënë se Ligji do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti, derisa kishte treguar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga është 745 milionë euro.

“Prej 1 shkurti hyn në fuqi, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga është 745 milionë euro. Për neve pikënisja është tërësia. Andaj ne s’e kemi pasë si pikënisje vlerën e koeficientit, por tërësinë e buxhetit. Në muajin janar kjo do të vendoset sigurisht dhe pas 1 shkurtit do të fillojnë pagat me Ligjin e Pagave”.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se Ligji do të përfundojë në Kushtetuese, nëse u ulen pagat.

“Nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vite gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme. Për fat të keq deri tani nuk kemi një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e pagave, megjithatë pavarësisht kësaj. Gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.”, ka deklaruar Kryesuesi i KGJK’së, Albert Zogaj.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë këtë Ligj në Kushtetuese, pikërisht për punën e koeficientit.

“Në rastin e ligjit për pagat, është bërë në mungesë totale të transparencës për shkak se sot është votuar ligji i pagave, por askush në Kosovë nuk e di se sa e ka pagën. Sot askush nuk e di se nëse është rritë apo zvogëluar paga e tij”, kishte deklaruar Përparim Gruda nga PDK.

Kush do të paguhet më së shumti?

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Me Ligjin për Paga parashihet që Presidentja e Kosovës ta ketë pagën më të madhe në vend, me koeficient 18. Pas saj radhitet Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5.

Paga e kryeministrit është paraparë ta ketë koeficientin e njëjtë me atë të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të shtetit, me koeficient 17.

Shefi dhe zëvendësshefi i Stafit në Presidencë do ta ketë koeficientin 13. Shefi i Stafit në Zyre të Kryeministrit dhe Kuvendin e Kosovës me koeficient 12.5. Këshilltarët politik me koeficient mbi 10.

Pozita e Komandantit të FSK-së është parapa të paguhet me koeficient 15, ndërsa koeficientin 15.5 do ta ketë pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës pritet ta ketë koeficientin 14.5. Ndërsa në Shërbimin Korrektues të Kosovës, udhëheqësi i pavionit është parapa ta ketë koeficientin 7.3.

Rektori do ta ketë koeficientin 14.2, dekani 12.8 dhe profesori i rregullt 12.4. Drejtori i Shkollës së Mesme të lartë 6.4 dhe mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Lartë 5.8. Mësimdhënësi në Shkollë fillore dhe të Mesme të Ulët 5.6, Mësimdhënësi në institucionet parashkollore 5.2 dhe edukatorët 5.

Pozita e Drejtuesit në Shëndetësi është 12.4, Mjek specialist 12, Mjek në Specializim 8, Mjek i përgjithshëm, Stomatolog, Farmacist 7.4, Laborant, Infermier, Mami, Teknik mjekësor, Teknik farmacist, 5.6.

Ambasadori do ta ketë koeficientin 10. Kryetari i kryeqytetit do ta ketë koeficientin 15, ndërsa kryetarët e komunave do ta kenë koeficientin në bazë të numrit të banorëve që ka komuna. Për shembull komuna që ka mbi 100 mijë banorë, kryetari i saj do ta ketë koeficientin 13.

Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Heroit të Muajit
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Djali tek Sheshi Skënderbej
    I pari në listë është i riu, që në daljen e tij në sheshin Skënderbej, në fillim të vitit, vendosi që të gëzonte një vajzë të mitur, të pastrehë, që po shijonte vetëm nga jashtë lodrat që ishin vendosur në qendër të Tiranës. Teksa ai e pa, që ajo nuk kishte mundësi ekonomike për të hipur në karusel, e mori dhe bashkë me të shijuan një xhiro.
    Qytetari nga Kavaja
    Kandidati i dytë është djali nga Kavaja që vendosi t’i hapte derën e shtëpisë Gabrielit, të riut që flinte në rrugët e Tiranës, pasi vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ai ishte i vetëm, pasi nuk kishte familje dhe qytetari nga Kavaja vendosi që ta strehonte në banesën e tij.
    I riu zemërgjerë
    Kandidati i tretë, është i riu nga Tirana, i cili ndaloi makinën në mes të rrugës, në një kohë me shi dhe zbriti nga automjeti për t’i dhënë një palë këpucë dhe një xhup një të moshuare, që po lypte tek makinat, që kishin mbetur në trafik. Ai u kujdes personalisht që ajo t’i vishte ato që i dhuroi dhe më pas u largua.
    Djali që ndihmoi të moshuarin
    Kandidati i katërt, është një tjetër i ri, i cili po ashtu ndaloi makinën në rrugë për të ndihmuar një të moshuar që i ishte prishur biçikleta. Ai bëri aq sa mundi, që i moshuari të rregullonte biçikletën dhe më pas të largohej drejt banesës së tij.
    Greis dhe Rakel
    Në vendin e pestë kemi motër e vëlla, Greisin dhe Rakelin, dy të vegjëlit, që detyruan nënën e tyre të ndalonte makinën për t'i dhënë disa të holla një djali të mitur që po lypte në rrugë. I mituri kishte në krahë një fëmjë të vogël dhe kjo preku më shumë motër e vëlla. Ata i lëshuan disa të holla bashkëmoshatarit të tyre dhe më pas u larguan me të ëmën.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit