Duka i kërkon kualifikimin në Europian, prezantohet Sylvinho: Do të bëjmë punë të mirë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 09.01.2023, 11:08

Ditën e sotme në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është prezantuar trajneri i ri i Kombëtares, Sylvinho. Braziliani ka marrë zyrtarisht detyrën ditën e sotme. Fillimisht fjalën e tij e ka mbajtur presidenti i Federatës, Armand Duka, i cili tregon qartë se objektivi i stafit të ri teknik është kualifikimi në Europian.

“Sot jemi në këtë komunikim publik për të mbyllur një cikël nën trajnimin e Rejës dhe duke nisur me një staf të ri dhe objektiva të qarta. Në fillim doja të falënderoja Rejën dhe stafin e tij për të gjitha rezultatet dhe punë, për përkushtimin dhe gjithçka që ka dhënë për kombëtaren.

Bilanci i tij i fitoreve dhe humbjeve është i barabartë. Ka bërë punë të mirë në punën e ekipit shqiptar. Shpeshherë ka qenë i kritikuar, por gjithsecili ka këndvështrimin e vet. Edhe njëherë do të doja ta felenderoja tashmë ish-trajnerin e ekipit Kombëtar gjatë këtyre 3 vite e gjysmë.

Reja ka qenë një nga bashkëpunëtoret më të mirë të FHSF-së dhe do të vazhdojë të jetë i tillë për të gjithë neve. Në staf janë dy ish-futbollistë të njohur, njëri i Argjentinës dhe njëri i Brazilit. Kemi arritur një marrëveshje deri në fund të Europianit.

Objektivi ynë është i qartë për të marrë pjesë në EURO 2024. Mundësitë janë dhe do të bëjmë maksimumin e mundshëm. Unë do t’ia lë fjalën trajnerit”, u shpreh Duka.

Më pas Sylvinho dha deklaratën e tij të parë si trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, ku u shpreh se ai dhe stafi i tij do të bëjnë maksimumin për të arritur objektivat e vendosura.

“Mirëdita të gjithëve. Doja t’ju falënderoja që jeni këtu. Jam i kënaqur me stafin tim. Doja t’i thoja diçka Rejës. Ka shumë punë. Duhet të bëjmë disa zgjedhje të vështira. Faleminderit për punën që ka bërë. Për zemrën, për pasionin.

Ne kemi dëshirë që të bëjmë mirë që ta çojmë këtë Kombëtare në vendin e duhur. Për këtë arsye jemi këtu. Kur takova presidentin këtë pash te ai. Mendoj se dhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për rezultate pozitive. Për t’i dhënë këtij projekti vazhdimësinë.

Shpeshherë dëgjoj dhe njerëzit për zgjedhjet që bën një trajner. Federata Shqiptare më bindi. Më bindi që të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur dhe besoj se do të bëjmë një punë të mirë”, tha Sylvinho.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit