“Rusia bleu ndeshjet e Botërorit, Spanja u urdhërua të humbte”, deklarata e bujshme e yllit të futbollit rus

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 06.01.2023, 12:51

Kur ende Argjentina po shijon fitoren e madhe të Kupës së Botës së këtij viti, një nga ish-futbollistët legjendarë të Rusisë, Andrei Kanchelskis, ka lëshuar akuza të rënda për evenimentin e 4 viteve më parë, që u organizua në Rusi. Ai shprehet se Rusia, e cila mbërriti deri në çerekfinale, bleu disa ndeshje për të shkuar sa më larg.

Trajneri 53-vjeçar në një intervistë për mediat ruse, është pyetur në lidhje me kritikat e ashpra të tij ndaj ish-trajnerit të kombëtares, Stanislav Cherchesov. Pikërisht në këtë moment, ai nuk ka hezituar dhe ka lëshuar një deklaratë të bujshme. Kupa e Botës është një nga evenimentet më të mëdhenj dhe trukimi i ndeshjeve as që mendohej para kësaj deklarate të bujshme.

“Nuk kam asgjë personale me Cherchesov. Thjesht mendoj se ai nuk duhet të jetë trajner në kombëtare, sepse në logjikën time një ish-portier mbetet vetëm një trajner i portierëve. Ndoshta ai punon mirë në klube, por jo në një ekip kombëtar”, tha fillimisht ish-ylli i Manchester United.

Më pas gazetari bëri “kundërpedalin” duke i kujtuar arritjen deri në çerekfinale të Rusisë nën drejtimin e Stanislav Cherchesov. Pikërisht pas kësaj ai nuk u përmbajt dhe u “zbërthye”.

Pse duhet të ndryshoj mendje për fjalët e mia? Sepse kemi blerë gjithçka në 2018? Të gjitha ndeshjet u blenë! Nuk e dini? Ne luajtëm në shtëpi dhe ashtu si në vitin 2002, ata kishin “therur” skuadrat që luanin me Korenë, e njëjta gjë ndodhi edhe me ne. Puna e Cherchesov u pa në Evropianin e radhës ku ne dështuam.

Luajtëm me një ekip serioz, Urugain dhe na mundën 3-0 në ndeshjen e fundit të grupit. Ndeshja kundër Spanjës në 1/8 ishte një ndeshje shumë e çuditshme sepse kundërshtarët tanë luajtën në mënyrë të pakuptueshme. A e keni pyetur ndonjëherë veten pse Spanja ndryshoi trajnerin e saj një ditë para fillimit të Kupës së Botës dhe zëvendësoi Lopeteguin me Hierron, që punonte për Federatën? Në një moment do të dalin detajet dhe do të shihni se sa të drejtë kam”, shtoi ai.

Gazetari, me qëllimin për të zbuluar akoma më shumë dhe për ta bërë më bindës argumentin e Kanchelskis, përmendi faktin se për Spanjën luanin lojtarë si Iniesta apo Ramos, që kanë një karrierë të lavdishme dhe nuk mund t’ia lejojnë vetes tolerimin e një ndeshjeje. Kanchelskis vazhdoi pa hezituar të tregojë prapaskena.

“Çfarë do të bënit ju nëse mbreti i vendit tuaj do t’ju jepte një urdhër të qartë? Mund të më besoni ose jo, por po ju them se ka informacione specifike nga njerëz, qoftë edhe nga futbollistë. Dhe herët a vonë, ata do të rrëfehen dhe do të flasin për gjithçka që ka ndodhur”, përfundoi ai me shumë bindje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit