Mirlinda pranon dështimin, i jep 4 miliardë Grigor Jotit për përmirësimin e sigurisë së AKSHIT

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.01.2023, 22:22

Që AKSHI nuk kishte mbrojtjen e duhur ndaj sulmeve qofshin ato edhe elementare, u vu re shumë shpejt që në momentin e sulmeve të hackerave iranianë të cilët e patën mjaft të lehtë ta nxirrnin sistemin jashtë funksionit.

Kujtojmë se për një kohë jo të shkurtër, portali e-Albania nuk funksiononte siç duhej duke dalë thuajse jashtë loje. Probleme patën edhe shumë sisteme të tjera, qofshin këto të gjobave të policisë rrugore apo edhe të vetë portalit të Fiskalizimit “Self Care”.

Por së fundmi Mirlinda Karçanaj, drejtoresha aktuale e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, shkurt AKSHI, ka pranuar “de facto” dështimin e sigurisë në institucionin që ajo drejton.

Zonja në fjalë është detyruar të hapë një tender të ri prej gati 4 miliardë lekësh të vjetra për përmirësimin e sigurisë së AKSHI-t. Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-49817-11-14-2022 dhe me objekt “Përmirësimi dhe optimizimi i perimetrave të sigurisë- për AKSHI”.

Fondi limit i tenderit është 333,007,428 lekë të reja pa TVSH ose rreth 4 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Duke i hedhur një vështrim dokumentacionit të tenderit, shohim edhe arsyet se përse është nevojitur harxhimi i këtyre parave.

Nga dokumentet mësohen fakte për të vënë duart në kokë pasi shikohet mjaft qartë se AKSHI ka patur një sërë problemesh sigurie që kanë të bëjnë me sistemin e mureve mbrojtëse “Firewalls” në rast sulmi.

Problemet fillonin nga pajisjet të cilat janë të vjetruara e drejt fundit të ciklit të jetës së tyre, duke vazhduar me “signatura” të sigurisë që nuk mund të azhornohen, “resource” të limituara, performancë e ulët, pamundësi për t’u integruar në një strukturë globale sigurie, si dhe vështirësi në aksesimin e burimeve.

Kjo tregon se AKSHI ishte tërësisht i papërgatitur për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të hackerave, siç edhe në të vërtetë u vërtetua në praktikë. Por duket se Mirlinda ka gjetur “shpëtimtarin”, i cili edhe kësaj radhe për çudi është i zakonshmi Grigor Joti i INFOSOFT SYSTEMS.

Ky i fundit është shpallur fitues i tenderit për një ofertë prej 304,299,977 lekë të reja pa TVSH ose rreth 3.7 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shifër rezulton ndërkohë se është sa 91.4% e fondit limit, duke ngritur dyshime se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit