Pasi i dha tenderin kuzhinierit të tij, Tan Agolli blen 300 milionë lekë makina elektrike

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.01.2023, 21:36

Dritan Agolli, drejtori ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit është një personazh që vështirë të harrohet lehtë për bëmat e tij.

Vetëm pak kohë më parë ju treguam ekskluzivisht se si ai nëpërmjet FSHZH i kishte dhënë plot 500 milionë lekë tender kuzhinierit të restorantit të tij, Alfio Rrotani.

Me pak fjalë duke sajuar një projekt me menutë e fshatrave turistikë shqiptarë, Tan Agolli “de facto” i kishte dhënë vetes së vet plot 500 milionë lekë. Natyrisht asgjë nuk i hyri në këmbë dhe tashmë vazhdon përsëri i qetë “avazin” e shpërdorimit të fondeve publike.

Kështu rezulton se zotëria në fjalë do të harxhojë plot 300 milionë lekë të vjetra për të blerë makina elektrike. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-49021-11-07-2022 dhe me objekt “Blerje automjetesh elektrike për nevoja të FSHZH-së”.

Fondi limit është përcaktuar në vlerën prej 25,867,478 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke hulumtuar dokumentacionin përkatës të kësaj procedure, shikohet se do të blihen vetëm 5 automjete të tilla.

Kjo do të thotë se vlera e përafërt për një automjet do të jetë mbi 60 milionë lekë të vjetra. Nga specifikimet e kërkuara të këtyre mjeteve, shikohet se duhet të jenë patjetër prodhim i dy viteve të fundit dhe me zero kilometra.

Ndërkaq duke parë tenderin në vetvete, shikohet se kemi të bëjmë me një konkurrencë të cunguar pasi në garë kanë marrë pjesë vetëm dy firma.

Fituese është shpallur kompania “Tirana Auto” në pronësi të Benon Dede, për vlerën 25.700.000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 300 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Kjo vlerë rezulton të jetë 99.3% e fondit limit duke ngritur dyshime të forta se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.

Ndërkaq në një kohë kur vendi ka kaq shumë nevojë për para për të ulur varfërinë nga shtresat e varfra në nevojë, Tan Agolli harxhon plot 300 milionë lekë për të blerë makina elektrike me zero kilometra në një tender të dyshimtë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit