I sëmurë me kancer që fëmijë, i riu realizon ëndrrën e tij për të shpëtuar të tjerët dhe bëhet mjek

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.06.2022, 21:44

Ai ishte vetëm një fëmijë kur u diagnostikua me kancer të mëlçisë në fazën e tretë, një diagnozë e rëndë që e detyroi atë të kalonte pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në spitale dhe qendra mjekësore. Një rrugëtim i gjatë ku marrëdhënia me mjekët dhe infermierët e shumtë që e trajtuan ishte thelbësore. Një lidhje që rezultoi vendimtare për ta rikuperuar, por edhe për të ardhmen e tij pasi Oscar Oglina ka ëndërruar gjithmonë të bëhej mjek për të ndihmuar të tjerët dhe tani ia ka dalë mbanë duke u diplomuar në mjekësi.

I riu bëri betimin ditët e fundit, duke i dhënë fund zyrtarisht periudhës së tij si student i Mjekësisë në Universitetin e Bristolit dhe tashmë ka nisur rrugën e tij të specializimit pasi ka zgjedhur, s'ka nevojë të thuhet, pediatrinë, në mënyrë që të ndihmojë fëmijët e tjerë në nevojë si ai.

Një karrierë që mbyll një cikël pasi kujtimet më të hershme të fëmijërisë së Oskarit vijnë të gjitha nga Great Ormond Street Hospital, spitali i famshëm i fëmijëve në Londër që u bë shtëpia e tij e dytë kur ai po trajtohej atje. Në fakt, Oscar ishte vetëm katër vjeç kur mori diagnozën tronditëse të kancerit të mëlçisë.

Oscar ishte shumë i ri për të kuptuar shumë nga ajo që po ndodhte, edhe pse ai e dinte se jeta e tij ishte shumë e ndryshme nga fëmijët e tjerë të moshës së tij. Atij iu desh të linte shkollën fillore për t'u fokusuar në trajtimin shëndetësor. Megjithatë, kur mundi kancerin dhe kuptoi se çfarë i kishte ndodhur, Oscar ia kushtoi vitet e shkollës një qëllimi: të bëhej mjek për të ndihmuar njerëzit si ai.

“Sapo të jeni përballur me një sëmundje të rëndë si kanceri, keni shumë ndjeshmëri. Do të kuptoni më mirë se çfarë po kalojnë pacientët tuaj. Unë thjesht dua që fëmijët e sëmurë të dinë se ju mund të bëni një jetë të plotë edhe pas kancerit dhe t'i realizoni ëndrrat tuaja. Ëndrrat e mia i kam bërë realitet dhe ato janë të mundura”, tha doktori i ri.

Burimi: FANPAGE | Përktheu dhe Përshtati: JOQ ALBANIA

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit