Avokati i popullit përkrahë martesat e së njëjtës gjini

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 27.05.2022, 21:55

Zyra e Ombudspersonit, ndryshe e njohur ndryshe edhe si “Avokati i Popullit” ka publikuar një deklaratë zyrtare mbi martesat mes personave që i përkasin së njëjtës gjini.

Sipas kësaj deklarate, Ombudspersoni përkrahë vullnetin e personave që të martohen me atë që dëshirojnë, duke dhënë dritën e gjelbërt gjithashtu mbi ndryshimin e Kodit Civil.

Deklarata e plotë e Avokatit të Popullit është si në vijim:

Avokati i Popullit, në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, publikon opinionin dhe qëndrimet e tij lidhur me njohjen e marrëdhënieve familjare të personave me sekse të njëjta.

Nëpërmjet këtij opinioni, Avokati i Popullit vë në pah garancitë kushtetuese që i ofron Kushtetuta e Republikës së Kosovës për respektimin e jetës private dhe familjare, e po ashtu mbrojtjen nga diskriminimi në bazë të orientimit seksual për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës.

Avokati i Popullit shprehë qëndrimin e tij se marrëdhëniet familjare të personave me sekse të njëjta, të njihen dhe të definohen me Kodin Civil, ashtu sikur që e garanton Kushtetuta dhe në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pa asnjë dallim dhe në të njëjtën mënyrë sikur për personat me sekse të kundërta.

Avokati i Popullit vlerëson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës duke mos përcaktuar shprehimisht se e drejta e martesës është e drejtë e “burrit dhe gruas”, nuk paraqet asnjë pengesë për të konstatuar se privimi i personave me sekse të njëjta nga e drejta e martesës, paraqet shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar në bazë të orientimit seksual.

Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se formulimi aktual i Projektkodit Civil për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta, pa e definuar qartë se çfarë paraqet një bashkësi e regjistruar civile dhe duke përcaktuar se kushtet dhe procedura për njohjen e këtyre bashkësive të rregullohen me ligj të veçantë, nuk paraqet zgjidhje dhe nuk i reflekton të drejtat e garantuara me Kushtetutë.

Avokati i Popullit, në mes tjerash, vlerëson se Projektkodi Civil në kuadër të rregullimit të marrëdhënieve familjare, të përcaktojë shprehimisht njohjen e marrëdhënieve të personave me sekse të njëjta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit