SUPER-SKANDALI/ KESH blen energjinë shtrenjtë dhe e shet lirë duke dalë me humbje

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.05.2022, 21:58

Një skandal i përmasave madhore rezulton të ketë ndodhur me blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike nga ana e KESH sh.a, për periudhën Janar – Prill 2022.

Sipas të dhënave të marra nga Open Data Albania, në këtë periudhë kompania rezulton të ketë blerë 250,749 Megavat orë (MWh) me vlerë totale 59,9 milionë Euro pa TVSH. Rrjedhimisht çmimi mesatar i ponderuar i blerjes për këtë periudhë rezulton 238.95 Euro/MWh.

Ndërkaq duhet ditur se si bursë referencë për çmimet e blerjes e të shitjes në rajonin e Ballkanit, mbahet bursa hungareze HUPX. Për të patur idenë e saktë të përmasave të skandalit, duhet të krahasojmë çmimet e referencës së kësaj burse me çmimet e blerjes dhe të shitjes se energjisë elektrike nga ana e KESH sh.a.

Le të fillojmë së pari me analizën e çmimeve të blerjes. Rezulton se për muajt janar, shkurt dhe prill KESH ka blerë energji me çmim më të lartë sesa çmimi i bursës, përkatësisht 32.44 Euro/MWh më shumë se çmimi i bursës në janar, 15.80 Euro/MWh më shumë se çmimi i bursës në shkurt dhe rreth 60.7 Euro/MWh më shumë se çmimi i bursës në prill. Nuk dihet ndërkaq se ku mund të kenë përfunduar paratë e paguara më shumë se çmimi i bursës.

Por prisni pasi skandali nuk mbaron akoma këtu. Ai bëhet akoma më i madh në rastin kur KESH ka realizuar shitjen e energjisë elektrike. Është marrë në konsideratë e njëjta periudhë janar-prill 2022. Rezulton se gjatë këtij intervali janë shpallur dy procedura tenderash nga ana e KESH për shitjen e energjisë. I pari në datë 24.01.2022 ku KESH shiti vetëm 840 MWh energji elektrike në treg të lirë, me çmim të ponderuar të shitjes prej 338.57 Euro/W. Ndërsa i dyti në muajin prill ku KESH shiti 11,850 MWh me çmim mesatar të ponderuar rreth 142.52 Euro/ MWh.

Pra për ta përmbledhur, në muajin prill 2022, KESH ka shitur 11,850 MWh me çmim mesatar shitje të ponderuar 142.52 Euro/ MWh në një kohë që çmimi mesatar i ponderuar i blerjes për këtë periudhë rezulton 238.95 Euro/MWh. Pra rezulton të ketë shitur me gati gjysmën e çmimit të blerjes, rrjedhimisht me humbje.

Dhe duke bërë një llogari të thjeshtë, rezulton se për 11,850 MWh të shitura, është shkaktuar një humbje prej rreth 1.1 milionë euro vetëm për muajin prill (238.95 Euro/MWh në blerje – 142.52 Euro/MWh në shitje = 96.43 Euro/MWh; 96.43 Euro/MWh x 11,850 MWh = 1,142,695 Euro).

Duket se Ergys Verdho nuk ka hequr dorë nga “pelivanlliqet” e së shkuarës dhe po bën më së miri “rrjepjen” e parave të shqiptarëve për t’i dërguar në xhepat e pushtetarëve. Një skandal i tillë i këtyre përmasave kërkon një hetim të menjëhershëm nga ana e SPAK dhe jo vetëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit