Pendarovski: Bullgaria konteston identitetin tonë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 26.05.2022, 18:00

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka aluduar se Bullgaria do ta imitojë qëndrimin e Greqisë ndaj Maqedonisë së Veriut në dekadat e fundit, duke vendosur parakushte për hyrjen në BE, për të mbrojtur interesin kombëtar.

Në një intervistë për Euronews, Pendarovski tha se duhet të flitet për argumentet dhe kriteret reale që i ka plotësuar vendi për anëtarësim në Union, e jo për shekullin XIX apo XX.

“Kërkesat bullgare janë shumë më të diskutueshme se ato greke. Pse? Sepse grekët kurrë nuk e vunë në dyshim origjinën tonë etnike. Asnjëherë nuk kanë thënë “nuk jeni maqedonas”. Në situatën me Greqinë ju dhamë mundësinë, nëse doni të identifikoheni si maqedonas etnik, mund ta bëni. Nëse disa njerëz në Greqi sot thonë se janë maqedonas, kanë të drejtë ta bëjnë këtë. “Bullgaria konteston identitetin e maqedonasve dhe ky është problemi i madh”, tha presidenti Pendarovski.

Sipas tij, Bullgaria shpreh qëndrimin e shoqërisë bullgare, si rezultat i qëndrimit shumëvjeçar të politikanëve dhe historianëve bullgarë, që daton që nga koha e komunizmit.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në vitet 50-60 të shekullit të kaluar, njerëzit filluan të flasin për Maqedoninë si një komb imagjinar, një mrekulli e krijuar me dekretin e Titos. Kështu që unë me të vërtetë mendoj se politikanët bullgarë, si dhe qytetarët e thjeshtë, i shohin maqedonasit si bullgarë etnikë ose të paktën besojnë se kemi qenë të tillë deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Sa i përket gjuhës maqedonase, e cila është e njohur në mbarë botën, ajo ishte vetëm një dialekt i bullgarishtes”, tha Stevo Pendarovski.

Presidenti Pendarovski tha se pavarësisht të gjitha zhvillimeve në kontinentin evropian me pushtimin rus të Ukrainës dhe të gjitha motiveve gjeopolitike që vënë në pikëpyetje konceptin e Evropës së bashkuar, pozicioni bullgar është ende i vështirë dhe nuk janë vërejtur ndryshime të rëndësishme në prag të vendimit të Brukselit, por duhet të presim ende deri në fund të qershorit.

“Në Maqedoninë e Veriut njihem si një politikan që shpreh mendimin tim. Nuk kam qëndrim personal apo zyrtar tjetër. Unë do t’i vlerësoj shanset tona për të filluar negociatat, më në fund pas 17 viteve që kemi qenë duke pritur si vend kandidat, edhe pse mund të jenë më pak se 50 për qind”, përfundoi presidenti Pendarovski.

Lidhur me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pendarovski thotë se kjo është një nga gjërat e pakta që i bashkon partitë në pushtet dhe opozitë.

I pyetur për ndarjen e Shqipërisë për fillimin e negociatave me BE-në, Pendarovski tha se nëse Tirana i plotëson të gjitha parakushtet dhe ndërkohë nuk ka ende dritë jeshile nga Bullgaria, është krejt normale të vihen në radhë të parë interesat e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit