ZRRE: Qytetarët nuk do dëmtohen nga procesi i faturimit të energjisë elektrike

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 25.05.2022, 14:11

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka dalë me një sqarim për opinionin mbi tarifat e energjisë elektrike, pasi ky institucion i është drejtuar Gjykatës Supreme duke kërkuar udhëzime lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të gjykatës.

“Ditëve të fundit ka pasur keqinformim të publikut lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike. Gjykata ka marrë aktvendim për shtyrje të zbatimit të vendimit, por jo edhe anulim të vendimit, andaj deri në verdiktin final të çështjes nga gjykata, ZRRE fton palët e interesit që të përmbahen nga deklarimet e pamatura dhe të bëhen pjesë konstruktive e tejkalimit të krizës së energjisë”, thuhet në komunikatë.

ZRRE thotë se është duke i respektuar aktvendimet e gjykatave të Kosovës dhe bazuar në aktvendimin e gjykatës ka nxjerrë vendim për zbatim të këtij aktvendimi, e të cilin ia ka dërguar të licencuarit për zbatim.

Duke marrë parasysh paqartësitë rreth implementimit të vendimit të ngritura edhe nga Furnizuesi me Shërbim Universal lidhur me faturimin, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme për mendimin juridik, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore dhe Këshillit Gjyqësor duke kërkuar udhëzime lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të gjykatës.

ZRRE siguron të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike se nuk do të dëmtohen nga procesi i faturimit të energjisë elektrike.

Ndryshe, Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja. Por, pavarësisht kësaj ZRRE tashmë e ka dërguar çështjen në Supreme.

ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kËh energji në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kËh në muaj.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e energjisë, prej orës 22:00-07:00. Ndërsa, nga data 1 prill-30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00-08:00.

Tarifat e reja të energjisë elektrike ishin planifikuar të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.

Siç ishte njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve në Kosovë konsumojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike në muaj dhe, rrjedhimisht, paguajnë më shtrenjtë. Gjatë tarifave të shtrenjta, qytetarët që harxhojnë mbi 800 kilovatë paguajnë 12.5 centë për kilovat, ndërsa gjatë tarifave të ulëta 5.9 centë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit