Vigjilia e finales/ Dhunë, alkool dhe terror tek qytetarët. Holandezët shkatërrojnë kryeqytetin

Shkruar nga: Enea Prenjasi | Publikuar më: 25.05.2022, 07:56

Tirana pret sot finalen e parë historike të Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feynord. Një takim entuziazmues i cili ka marrë vëmendjen e opinionit sportiv dhe jo vetëm, edhe jashtë vendit tonë. Atmosferën e vigjiljes dhe pragndeshjes nuk mund ta quajmë aspak pozitive deri tani pasi ka shpërthyer dhuna dhe terrori nga tifozët holandezë në kryeqytet 24 orë para ndeshjes.

Situata ka dalë nga kontrolli mbrëmjen e djeshme, ku tifozët e Feynordit janë përleshur masivisht me policinë shqiptare. Gjatë pasdites, janë regjistruar disa incidente në zona të ndryshme të kryeqytetit ku janë lënduar disa efektivë policie dhe një tjetër person u plagos pasi u godit me sende të forta.

Zonat më të nxehta të incidenteve ishin ato të Pallatit me Shigjeta, 21 Dhjetori, zona e Drejtorisë së Policisë, pedonalja dhe te Kryeministria. Pre e sulmeve të tifozëve ishin kryesisht uniformat blu, ndërkohë që te Drejtoria e Policisë së Tiranës një makinë e patrullës është sulmuar me objekte të forta. Ndërkohë policia ka shoqëruar 60 shtetas nga grupet e tifozëve.

Dhunë, alkool, makina të dëmtuar dhe terror tek qytetarët shqiptarë, kjo ka qenë ajo çka kanë sjellë me vete holandezët në Shqipëri. Në videot dhe raportimet e bëra në çdo minutë, shihet qartë se huliganë të alkoolizuar ushtruan terror në çdo rrugë ku kalonin. Dhe të mendosh që kjo ishte 24 orë para finales, pasi sonte luhet ndeshja dhe situata nuk duket aspak e qetë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit