Përfundon takimi Kovaçevski-Petkov në Romë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 23.05.2022, 19:59

Ka përfunduar pa epilog takimi në Romë i zhvilluar mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrit bullgar, Kiril Petkov.

Në një prononcim për media Kovaçevski e ka vlerësuar si konstruktiv takimin duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë tutje, ndërsa zgjidhja do të arrihet në momentin kur do të ketë një dokument, i pranueshëm për dyja palët. I pyetur për pasojat diplomatike dhe politike në rast se në qershor nuk merret data për konferencën e parë ndër-qeveritare, Kovaçevski shtoi se nuk lidhet për data dhe se përcaktimi euro integrues i vendit nuk lëkundet pavarësisht rezultatit që mund të sjell qershori,raporton alsat.

Në fund i pari i Qeverisë shtoi se pala bullgare nuk ka kushte të reja për zhbllokim dhe propozimi portugez mbetet zgjidhja e preferuar e palës bullgare.

Në këtë moment nuk mund të them për atë nëse ka progres në lidhje me arritjen e dokumentit të përbashkët të pranueshëm me Bullgarinë, por bisedimet vazhdojnë në mes ekipeve të ekspertëve të Ministrive për Punë të Jashtme dhe menjëherë sapo të ketë progres të caktuar kjo do të kumtohet në nivel të ministrave, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me homologun e tij bullgar Kirill Petkov në Romë.

Siç lajmëronë korrespodenti i MIA-s nga Roma, kryeministri Kovaçevski theksoi se nëse ka dokument që do të jetë dyanshëm i pranueshëm, ai do të prezantohet publikisht.

Në takimin me Petkovin, siç informoi kryeministri, morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, të cilët informuan për rrjedhën e bisedimeve që po zhvillohen në nivel të ekspertëve të ministrive.

Sipas Kovaçevskit, u dakordua që ato bisedime të vazhdojnë në mënyrë që MPJ-të të mundohen të arrijnë një dokument që do të ishte i pranueshëm për të dyja vendet dhe do të ishte bazë për zgjidhje që do të mund të ndahej me institucionet e të dyja vendeve.

“Nuk diskutuam fare nëse ka kushte të reja nga Bullgaria. Këto janë çështje që kanë qenë të hapura paraprakisht për ata tanimë ekziston i ashtuquajtur propozimi portugez, i cili është ende bazë për bisedime ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme dhe në këtë pikë nuk mund të them për progres në arritjen e një dokumenti reciprokisht të pranueshëm, duke qenë se derisa të arrihet një dokument i tillë nuk mund të flasim për progres”, deklaroi Kovaçevski.

Ai theksoi se takimi me kryeministrin e Bullgarisë ka qenë jashtëzakonisht konstruktiv dhe se janë diskutuar për disa tema.

Në lidhje me pritjet për samitin e ardhshëm të BE-së në qershor, Kovaçevski tha se nuk dëshiron të jetë i lidhur me data, sepse siç theksoi, vendi jonë ka qenë peng i datave nga muaji në muaj dhe beson se një gjë e tillë nuk varet vetëm nga ne, por varet nga vendimi i 27-të vendeve anëtare të BE-së.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit