Kush është ish ushtari nga Hotla e Kumanovës, që po siguron boksierin e njohur botëror Conor McGregor në Kanë?

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.05.2022, 21:46

Deri sa përpiqemi t’i afrohemi yllit botëror të boksit Conor McGregor në turmën e madhe prej qindra gazetarëve në Festivalin e filmit në Kanë, dëgjojmë një zë që na drejtohet shqip: “Kujdes mos u mundoni, Conor sot nuk jep deklarata por vetëm bën foto sesison”. Shikojmë rrotull dhe para se ta parashtrojmë pyetjen e zakonshme në kësi raste: “A edhe këtu paska shqiptarë?”, shohim një djalosh i cili duke buzëqeshur na thotë: “Ju dëgjova duke folur shqip mes vete, më vjen mirë që paska gazetarë shqiptarë në Festivalin e Kanës”.

Sigurisht që edhe ne na vjen mirë që takojmë një shqiptar tjetër në këtë fesival me renome botërore. Pamja e tij, kostumet e zeza dhe kufjet në vesh na lënë të mësojmë se bëhet fjalë për truproje. “Jam në ekipin që siguron McGregorin”, na thotë shkurt dhe para se të vrapojë në angazhimet e tij, shkëmbejmë kontaktet dhe meremi vesh të takohemi më vonë për të pi kafe të përbashkët. Për ta pirë kafen takohemi në mbrëmje, në një nga kafeteritë e shumta në rrugën më të njohur në Kanë, “La Croissete”. Aty njoftohemi edhe zyrtarisht. Djaloshi që është pjesë e sigurimit të Conor McGregor në Kanë është Muzafer Bilalli me prejardhje nga fshati Hotël i Kumanovës. Tani e 20 vite jeton në kryeqytetin belg, Bruksel, ku punon si truproje. Njëzet vitet e jetuara në perëndim dhe suksesi i arritur në profesionin e tij, nuk e kanë ndryshuar. Ai ende është një djal modest, që me mall flet për vendlindjen dhe fshatin ku është rritur, por prej ku ka qenë i detyruar të largohet për shkak të mungesës së perspektivës. “Si shumë shqiptarë tjerë ia mësyva perëndimit në moshë të re. Fillimi në Bruksel ishte mjaft i vështirë. Disa shokë më ndihmuan të gjejë punë si sigurim në një lokal, ku shkathtësitë e mia të fituara si ushtar i UÇK-së në vitin 2001, u pëlqyen mjaftë pronarëve të lokalit. Aty filloi përparimi im në karrierë dhe sot pas 20 viteve mund të them se ndjehem i realizuar në këtë profesion”, rrëfen Muzaferi duke na sqaruar se në vitin 2001 ka qenë pjesë e UÇK-së në Zonën e Lirë të Kardakut”, si pjesëtar i Brigadës “Ismet Jashari Komandant Kumanova”.

Ne na intereson edhe si ka ardhur deri te bashkëpunimi me Conor McGregor, i cili më shumë se yll sporti është edhr yll i shou-bizit dhe figurë atraktive për mediumet në të gjitha eventet që kanë të bëjnë me sportin, filmin dhe evente të natyrave tjera. “Para disa muajve isha në vizitë në Dablin të Irlandës te shoku im Reshat Ramadani nga Haraçina. Me të kemi qenë edhe bashkëluftëtarë në vitin 2001 dhe prej atëherë e kemi ruajtur shoqërinë. Me ndihmën e tij vendosa kontakte me vëllezërit Hoxha nga Tropoja të cilët e sigurojnë McGregorin dhe u morëm vesh të bëhem pjesë e ekipit të tij në Kanë. Nga 10 truproja që sigurojmë Conanin këtu, tre jemi shqiptarë”, tregon Muzaferi. Në jetën e tij ka siguruar dhe përcjellur shumë figura të njohura, mirëpo për përvojën me McGregor thotë se është e veçantë, pasi ai është i njohur për jetën dinamike, temperamentin e theksuar por edhe si figurë që tërheq si “magnet” vemendjen e mediave dhe paparacëve. Muzaferi nuk e ndien këtë si lodhje, por si sfidë të re profesionale. Biseda me të është interesante, sepse gjatë karrierëa 20 vjeçare ka kaluar shumë gjëra, secila më interesante se tjetra.

Gjatë bisedës, më tepër spontanisht vjen pyetja se a do të pranonte të sigurojë ndonjë nga Ministrat Shqiptarë në RMV sikur ti ofrohej punë e tillë.

Pyetja e provokon, prandaj qeshë me ironi! “Unë nuk shoqëroj politikanë zuzarë që rroga ime të varet nga paratë qytetarëve, deri sa ministri me familjen e tij shijon luksin në kurriz të popullit. Unë obligimin Kombëtar e kam kryer në vitin 2001, tani jetoj nga puna dhe djersa ime”, thotë ai, duke u munduar ta fshehë, por pa sukses, nervozizmin deri sa flet për politikanët që jetojnë jetë luksoze në kurriz të ish ushtarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ndryshojmë temë dhe vazhdojmë bisedën për planet e tij të ardhshme. Na tregon se do të jetë pjesë e ekipit të sigurimit të Conan McGregorit edhe në garën e “Formula 1” për Çmimin e madh të Monakos që më 26 maj do të mbahet në Monte Carlo, por pret me padurim edhe pushimin vjetor dhe vizitën e radhës në fshatin e lindjes Hotël, rrëzë bjeshkëve të komunës së Likovës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit